Ruli: Gati 30 milionë USD për argjinaturat në zonat e përmbytura
Investimet në infrastrukturën e kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja, për vitin 2011, do të arrijnë në vlerën e 30 milionë dollarëve, tha dje ministri Ruli, gjatë një komunikimi me median. Sipas tij, ndërhyrje emergjente do të bëhen në Rajonin e Shkodrës dhe Lezhës, në argjinaturat kryesore dhe në tërë sistemin e kanaleve kulluese dhe ujitëse. Me mbështetje teknike dhe financiare nga e Banka Botërore, do të mundësohet kryerja e një studimi të plotë për regjimin hidrik, argjinaturat dhe pritat e lumenjve, si dhe tërë sistemin e kanaleve kullues në Rajonin e Shkodrës. Menjëherë pas këtij studimi, do të fillojë puna në të gjitha objektet e infrastrukturës së mbrojtjes nga përmbytja në ketë rajon. Gjithashtu, këtë vit do të bëhen ndërhyrje për kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytja në fushën e Korçës, për një sipërfaqe rreth 5 mijë ha. Nga investimet në fjalë, sistemi i ujitjes në shkallë vendi do të përmirësohet në rreth 15 000 mijë ha. Sistemi i kullimit do të përmirësohet në rreth 20 mijë ha, ku përfshihen rreth 9500 ha të zonës së Nën-Shkodrës. Gjithashtu, Ruli tha se do të rritet ndjeshëm siguria e mbrojtjes nga përmbytjet, veçanërisht për zonën e Shkodrës dhe Lezhës, ku parashikohet rehabilitimi i plotë i rreth 30 km argjinatura të lumenjve, Bunë, Kir e Drin, do të thellohet dhe zgjerohet në të gjithë gjatësinë e tij kolektori gryka murtemzes-Vilun-Det, do të zgjerohet në një të tretën e gjatësisë lumi Buna dhe do të rikonstruktohet tërësisht argjinatura mbrojtëse e Torrovicës.