Punësimi në Itali, nis në shkurt aplikimi
Botohet dekreti i flukseve, gara nis më 31 janar. Afatet për paraqitjen e kërkesave, parashikohen tri ditë klikimesh në internet, 4500 kuota për shqiptarët
Hyn në fuqi dekreti i flukseve 2010 për punësimin në Itali, ndërsa gara nis më 31 janar. Më 31 dhjetor të vitit 2010 është botuar në Gazetën Zyrtare Italiane, dekreti i flukseve 2010, që tashmë ka marrë fuqi vepruese. Ai parashikon një maksimum prej 98.080 kuotash: 86.580 për hyrje të reja për punë jo stinore jokomunitarësh, me rezidencë jashtë Italisë dhe 11.500 konvertime lejesh të ndryshme në lejeqëndrim për punë. Me këtë dekret rezervohen 4500 kuota hyrjesh për shqiptarët dhe kërkesat e punësimit për ta duhen nisur, duke filluar nga ora 8:00 e datës 31 janar 2011. Dekretet e mëparshme kanë treguar se kuotat janë shumë më të pakta se kërkesat, ndaj prej tyre mund të fitojnë vetëm më të shpejtit. Kërkesat duhet të paraqiten sa më herët në mëngjesin e datës 31 janar. Zakonisht kanë mundur të fitojnë një kuotë ata që kanë paraqitur kërkesë që 15 minutat e para. Kështu që, edhe këtë radhë, sigurimi i një kuote do të jetë përsëri një garë shpejtësie dhe fati, dhe vetëm 98.080 kërkesat e para që do të mbërrijnë në “trurin” e Ministrisë së Brendshme do të shndërrohen në leje qëndrimi. Për shqiptarët, do të jetë e rëndësishme të arrihet ndër 4500 të parët.
Punësimi
Italia hap sërish dyert për punonjësit e huaj. Pas një bllokimi 2-vjeçar mbërrin dekreti i ri i flukseve, që autorizon hyrjen e rreth 100 mijë punonjësve. Teksti është firmosur më 30 nëntor nga kryeministri italian, Silvio Berlusconi. Rreth 50 mijë vende janë rezervuar për punonjësit e varur, në të gjithë sektorët, nga vendet që kanë marrëveshje me Italinë, siç është edhe Shqipëria, për të cilën janë akorduar 4500 vende. Ndërkaq, 30 mijë vende janë rezervuar për punonjësit shtëpiakë (bashkëpunëtorë shtëpiakë, kujdestarë për të moshuar dhe fëmijë), të kombësive të tjera. Dekreti parashikon edhe 4 mijë hyrje për punonjës që kanë marrë pjesë në programe formimi në vendlindje, dhe 500 hyrje për pasardhës italianësh në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë, Brazil, të futur në listat e konsullatave. Së fundi, u hapet rruga edhe 11 mijë konvertimeve të lejeqëndrimeve për studim, stazhe, punë sezonale dhe për qëndrues afatgjatë (të lëshuara nga vende të tjera të BE-së) në lejeqëndrime për punë. Edhe këtë herë, punëdhënësit do të mund të paraqesin kërkesën e punësimit vetëm nëpërmjet internetit dhe autorizimet do të lëshohen deri në përfundimin e kuotave, sipas renditjes kronologjike kohore të paraqitjes së kërkesave. Do të ketë tre të ashtuquajtura “click day”, (ditë klikimesh” në program, në shkurt të vitit 2011, dhe sërish, edhe një herë do të fitojnë më të shpejtët dhe ata më me fat, duke lënë jashtë pjesën më të madhe të ndërmarrjeve dhe familjeve që do të marrin pjesë në këtë garë. Ndonëse qeveria italiane nuk do ta pohojë kurrë, por ky është një lëshim i vogël, i pamjaftueshëm, ndaj atyre që kërkonin një pajisje të përgjithshme me dokumente qëndrimi. Edhe pse me mijëra vështirësi, kush ndodhet në Itali pa lejeqëndrimi, dhe do të ketë një kërkesë për punësim përmes flukseve, ashtu si edhe në vitet e shkuar, do të kthehet në atdhe dhe do të vijë sërish në Itali, i pajisur me një vizë të rregullt hyrjeje për punë. Meqenëse kuotat caktohen duke respektuar rendin kronologjik, është themelore që kërkesa të dërgohet sa më shpejt, ditën e caktuar, me shpresë që të futet në kuota para se ato të mbarojnë. Për shembull, në vitin 2007, kuotat e vëna në dispozicion mbaruan brenda 15 minutave, pas fillimit të orarit të vendosur për dërgimin e kërkesave (ora 8.00). Sipas qarkores së përbashkët të ministrisë së Brendshme Italiane dhe ministrisë së Punës, kërkesat për punësimin e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri (por, praktikisht, edhe në Itali pa leje qëndrimi) duhet të paraqiten më 31 janar 2011. Ndërsa shqiptarët që do të kërkojnë konvertimin e lejes së qëndrimit duhet të paraqesin kërkesën më 3 shkurt 2011. Kështu, shqiptarët që jetojnë në Itali me një lejeqëndrim, çfarëdo e që kërkojnë konvertimin në lejeqëndrim për punë, sipas nenit 4 të dekretit të flukseve, duhet të paraqesin kërkesë më 3 shkurt 2011. Në ligj është shkruar shprehimisht që do të pranohen kërkesat e paraqitura brenda 6 muajsh nga data e botimit të dekretit në Gazetën Zyrtare. Më 3 janar 2011, me një qarkore të përbashkët të ministrisë së Punës dhe ministrisë së Brendshme Italiane sqarohen disa nga pikat kyçe të dekretit të flukseve 2010, të botuar në Gazetën Zyrtare të 31 dhjetorit 2010. Në Itali mund të punësohet një shtetas jokomunitar, vetëm nëse ai ka një lejeqëndrim të përshtatshëm, si për shembull lejeqëndrim për arsye familjare, për punë të varur josezonale, për studim (maksimumi mund të punësohet për 20 orë në javë e gjithsesi jo mbi 1040 orë në vit), si refugjat politik, për arsye humanitare etj.
Kërkesat për punësimin e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri (por, praktikisht, edhe në Itali pa leje qëndrimi) duhet të paraqiten më 31 janar 2011. Ndërsa shqiptarët që do të kërkojnë konvertimin e lejes së qëndrimit, duhet të paraqesin kërkesën më 3 shkurt 2011.
4500 vende janë akorduar për Shqipërinë në kuadrin e kuotave të hyrjes për punë, ku parashikohen 52 080 vende për punë të varur, të rezervuara vetëm për shtetasit jokomunitarë