E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse Polonia refuzon Euron?

SHKRUAN: Enio Civici 14-01-2011 13:53

Polonia për momentin i thotë një jo të thatë zëvendësimit të monedhës së saj me monedhën e përbashkët europiane, euro-n. Nuk është një mesazh kategorikisht zhgënjyes për euron e shumë diskutuar këta muajt e fundit, por i bën përdoruesit e kësaj monedhe, të reflektojnë, se as verdiktet e Bankës Qendrore europiane dhe as politikat e shteteve anëtare, nuk janë në gjendje të shesin një pozicion fiskal të besuar e të konsoliduar të bashkimit monetar, edhe pas krizave të Greqisë dhe Irlandës. Nga pikëpamja e ekonomisë monetare, ndër 27 vendet anëtare të bashkimit europian, Polonia veçohet për dy arsye kryesore. Nga pikëpamja strukturore, shteti Polak ka një cilësi të qëndrueshme për sa i përket Bankës Qendrore, si dhe supervizimit financiar. Në anën tjetër, nga pikëpamja konjukturore, menaxhimi i politikës monetare ka kontribuar në shpalljen e Polonisë si i vetmi vend i bashkimit europian, i cili ka regjistruar rritje ekonomike në vitin 2009, viti më i rëndë i krizës. Shteti më i rëndësishëm i Europës qendrore, regjistroi një rritje prej 1.7%, në dallim nga mesatarja prej -4.1% në eurozonë. Polonia, ndër vite, ka ndërtuar një bankë qendrore të bazuar në stabilitetin monetar dhe të pavarur nga qeveritë në fuqi. Sipas statistikave të vitit 2007, aseti bankar i Bankës qendrore polake ka një gradë pajtimi ndaj kritereve ndërkombëtare të pavarësisë, të barabartë me 92%. Kjo shifër është e njëjtë me atë të Bankës Qendrore Europiane, ndërkohë që Banka e Anglisë nuk arrin më shumë se 65% dhe Rezerva Federale Amerikane arrin deri në 78%, edhe pse duhet thënë se pavarësia aktuale e rezervës federale është nën presion të vazhdueshëm politik, si pasojë e ligjit më të ri të rregullave financiare Dodd Frank. Gjithashtu, Banka Qendrore Polake, është e pavarur dhe nga bankat tregtare, duke mos pasur përgjegjësi kujdesi, ose më saktë, duke mos pasur fuqitë e mikro-supervizimit bankar. Dëshmi e qartë e kësaj tendence është reforma e 1 janarit 2008, ku supervizimi bankar është braktisur nga strukturat shumë dimensionale dhe i është deleguar vetëm një institucioni, Autoriteti Polak i Supervizimit Financiar. Ky autoritet ka treguar shumë herë efiçencën e pozicionit të tij, por sipas analistëve të sferës bankare e financiare, ka ende vend për t’u përmirësuar, pasi regjistron një shkallë pavarësie prej vetëm 52.5%. Pra, Polonia ka adoptuar në mënyrë të menjëhershme dhe të suksesshme, modelin më modern të bankës qendrore, të pavarur dhe të specializuar, ashtu dhe modelin e supervizimit financiar,të unifikuar. Për sa i përket inflacionit, norma e tij ka ardhur duke u ulur vazhdimisht në dekadën e fundit. Në vitin 2000, perspektiva e inflacionit, si dhe norma reale, ishin me dy shifra, ndërsa në janar të vitit 2007, parashikimi inflacionit si dhe norma reale e tij ishin respektivisht në shifrat 1.4 dhe 1.5%. Krijimi dhe operimi i një Banke qendrore të pavarur dhe të specializuar jo vetëm ka rritur potencialin e politikave monetare, por gjithashtu nuk ka ndikuar negativisht në menaxhimin e politikave ekonomike, edhe gjatë krizës financiare. Polonia e ka përballuar krizën me bilance publike të gjitha brenda normave të lejuara, 3% deficit buxhetor mbi prodhimin e brendshëm bruto, si dhe 3% deficit i llogarive korrente në banka tregtare. Me këto arritje, shteti polak ka pasur mundësinë të ushtrojë një politikë fiskale të qëndrueshme dhe jo ciklike. Ndërkohë, në terma politikë-bërje, Polonia ka treguar se është e aftë të aplikojë sistemet dhe strategjitë e nevojshme për të mbështetur një zhvillim të vrullshëm dhe të pandalshëm, duke u prekur vetëm periferikisht, nga krizat e recesionit global. Në të njëjtën kohë, me politikat fiskale agresive, në këtë shtet janë aplikuar dhe politika monetare agresive, të cilat kanë sjellë një zhvlerësim të volitshëm të monedhës vendase në kuadrin e rritjes së nivelit të eksporteve. Kërkesa agregate, në këto kushte, ka reaguar pozitivisht duke regjistruar një relacion ndërmjet borxhit publik dhe prodhimit të brendshëm bruto, në shifrat 50.9%, kundër shifrës mesatare prej 79.5% të vendeve të tjera të eurozonës. Edhe norma e inflacionit, e cila përjetoi një periudhë ngritje të padëmshme, është kthyer në kontroll, duke paraqitur në tetor të vitit 2010, një rritje prej vetëm 2.6%, krahasuar me 2% të vendeve anëtare të eurozonës, të cilat janë subjekt i politikave me normë bazë interesi të ulët, të imponuar nga Banka Qendrore Europiane. Si përfundim, mund të themi se Polonia është një shtet i karakterizuar nga një tripod shumë i dëshirueshëm: disiplinë fiskale, disiplinë monetare, si dhe kontroll të konsoliduar. Pra, për t’iu kthyer titullit të kësaj pune, pse Polonia nuk pranon euron, në bazë të fakteve të sipërpërmendura është shumë e qartë, pse Polonia nuk është e interesuar në bashkimin ekonomik dhe monetar europian. Nga pikëpamja institucionale, sistemi aktual europian i përbashkët është në gjendje të aplikojë vetëm disiplinën monetare, ndërkohë që disiplina fiskale mungon dukshëm. Sipas ekspertëve, kjo gjendje do të vazhdojë derisa qeveritë e shteteve anëtare të bëjnë hapa të rëndësishëm drejt delegimeve thelbësore, të sovranitetit buxhetor e fiskal në Bruksel, në kuadrin e një qeverisjeje ekonomiko-financiare më të centralizuar europiane. Deri më sot, duket se individualisht nuk ia kanë dalë mbanë, edhe pas goditjeve të rënda që tregjet kanë pësuar në vitin e kaluar, fillimisht në islandez, grek e më pas në rastin irlandez. Në Bashkimin europian, nuk funksionon gjithashtu vigjilenca e konsoliduar, edhe pas falimentimit të qartë të modelit të decentralizuar dhe me autoritete të shumëfishta. Shqetësimi më i madh ravijëzohet në aksiomën themelore se asnjë disiplinë monetare nuk mund të ketë jetë të gjatë pa disiplinë fiskale dhe bankare. Këmbana polake ka rënë për gjithë politikën dhe politikanët europianë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, po a e kanë dëgjuar mesazhin e vërtetë të refuzimit polak për të qenë anëtarët më rinj të eurozonës këta të fundit? Kjo mbetet për t’u verifikuar në ditët dhe muajt në vazhdim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›