E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikimi, shtyhet shqyrtimi i Shqipërisë në BE

Ministri i Jashtëm i Austrisë mbështet Shqipërinë në BE, por nuk shfaqet optimist për liberalizimin e vizave në fillim të vitit


TIRANË - Shqyrtimi i kandidaturës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, do të bëhet në një kohë të pacaktuar. Sipas medieve të akredituara në Bruksel, kandidatura e Shqipërisë është shtyrë sërish dje nga diplomatët e Bashkimit Evropian.


Mediat raportojnë se, megjithëse Presidenca Suedeze e kishte përfshirë në axhendën e diskutimeve të komitetit të përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare, shqyrtimi i aplikimit është hequr nga axhenda për shkak se Gjermania ka kërkuar më shumë kohë.


Sipas burimeve nga BE-ja, duke iu referuar një ligji të ri, të imponuar nga Gjykata Kushtetuese si kusht për ratifikimin e Traktatit të Lisbonës, diplomatët gjermanë kanë shpjeguar në takim se ende nuk janë të qartë, nëse duhet respektuar Bundestag përpara se të shprehet qëndrimi për aplikimin e Shqipërisë.


Por, mbledhja e parë e Dhomës së Ulët të Parlamentit gjerman është në fund të tetorit, për pasojë shqyrtimi i kandidaturës do të shtyhet për më shumë se një muaj. Shqipëria aplikoi për statusin kandidat, 6 muaj më parë dhe komisioni pret miratimin nga Këshilli i BE-së për të nisur përpilimin e opinionit mbi gatishmërinë e vendit për të marrë statusin kandidat.


Austria: Harrojini vizat në 1 Janar


Paralelisht me shtyrjen në kohë të shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, Austria ka bërë të qartë se mbështet Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.


Por, për arritjen e një objektivi të tillë, sipas Ministrit të Jashtëm të Austrisë, Michael Spindelegger, është shumë e nevojshme stabiliteti politik dhe mbizotërimi i klimës së mirëkuptimit. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, gjatë një konference për shtyp me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta, Spindelegger deklaroi gjithashtu, se Shqipëria e ka të vështirë të përfitojë nga liberalizimi i vizave.


Sipas tij, vendit tonë do t'i duhet të punojë shumë për të arritur realizmin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Kreu i diplomacisë austriake, theksoi se ky proces do të jetë në përpjesëtim të drejtë me shpejtësinë e realizmit të reformave dhe arritjes së standardeve evropiane nga ana e Shqipërisë.


"Mendoj se nuk do të ishte një pritje realiste që në 1 janarin e vitit 2010 Shqipëria të jetë në këtë proces. Liberalizimi i vizave është një proces që monitorohet shumë ngushtë nga Komisioni Evropian dhe sa më shpejt që Shqipëria të ecë me standardet që duhet të përmbushë, aq më shpejt do të mund të realizohet ai", - deklaroi ministri i Jashtëm austriak.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›