E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikoi tri herë, ende pa pasaportë biometrike

Emigranti Petrit Pecaku nga fshati Pishkash i komunës së Qukësit, nuk po kthehet në vendin e tij të punës në Kallamata të Greqisë vetëm e vetëm sepse nuk po arrin dot të pajiset me pasaportën biometrike 

LIBRAZHD - Në Shqipëri emigrantët janë ndër më të pakënaqurit me ecurinë e procesit të pajisjes së tyre me letërnjoftimin elektronik dhe  pasaportë biometrike. Sikur të mos mjaftonte vetëm pritja në radhë për ditë e javë të tëra, ka edhe nga ata që pasi kanë aplikuar për të disatën herë, nuk është e thënë që ta marrin ndonjëherë pasaportën biometrike. Një 35-vjeçar nga Librazhdi ka denoncuar para mediave një rast skandaloz, i cili nuk është i vetmi në llojin e tij. Emigranti Petrit Pecaku nga fshati Pishkash i komunës së Qukësit, nuk po kthehet në vendin e tij të punës në Kallamata të Greqisë vetëm e vetëm sepse nuk po arrin dot të pajiset me pasaportën biometrike. “Kam aplikuar gjatë pesë muajve të fundit tri herë dhe ende nuk kam në dorë dokumentin zyrtar më të rëndësishëm të vendit tim, i cili presupozohet se do të kemi fatin ta përdorim si qytetarë të Europës së lirë”, - shprehet emigranti. Ai tregon dhe një tufë me fatura të aplikimeve të tij të pasuksesshme për letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike. “Ndoshta jam edhe fatkeq që faturat e firmës “Aleat” nuk po më mundësojnë dot prodhimin e dokumenteve zyrtare, por kjo po më kushton shtrenjtë. Nga 22 qershori e në vazhdim jam pothuajse i përditshëm para sportelit të zyrës së aplikimit, por më kanë përcjellë me justifikimin se pasi të riaplikoj edhe një herë dokumentet, do t’i kem në kohë rekord në dorë”, - tregon Pecaku. Ndërkohë, 35-vjeçari ka aplikuar dhe tri herë të tjera radhazi dhe sërish nuk është pajisur me dokumentin përkatës. “Një herë më thanë se ishin dëmtuar të dhënat, një herë tjetër është shkatërruar sistemi, ndërsa së fundi nuk më japin asnjë lloj argumenti rreth bllokimit të pasaportës biometrike”, - shpjegon emigranti nga Librazhdi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›