Apollon Limasol futet në garë AEL-i: Presim firmën e lojtarit
Klodian Duro duket fare pranë transferimit tek AEL Limasol. Mesfushori pritet të paraqitet sot në Qipro, për të firmosur kontratën 2-vjeçare me skuadrën që e mbylli kampionatin në vendin e katërt. Por, në mediat ishullore qarkullojnë zëra se kalimi i 32-vjeçarit mund të ndërlikohet, pasi në garë është futur edhe Apollon Limasol. Tashmë pritet që Duro të sqarojë se ku do të vazhdojë karrierën. Ndërkohë, drejtuesit e AEL-it nuk shfaqen të shqetësuar rreth interesit të kushërinjve-rivalë. Ata kanë akord parimor me elbasanasin, me të cilin Omonia vendosi të ndërpresë bashkëpunimin, pavarësisht se lojtari kishte edhe një vit kontratë në Nikosia. "Nuk na interesojnë spekulimet, sepse ne kemi marrëveshje me mesfushorin. Omonia ishte dakord me këtë transferim. Të tjerat nuk kanë rëndësi", deklaroi zëdhënësi i AEL-it, Nikolas Leventis. Duro pritet të prezantohet të premten në ekipin e ri.