"Tirana nuk ka para për të blerë lojtarë të mëdhenj"
Prej pak kohësh e ka marrë drejtimin e Tiranës dhe prej vetëm dy ditësh e ka parë potencialin e saj në seancat stërvitore. Por duket se pak u beson atyre që ka brenda gardhit, prandaj i ka kthyer menjëherë sytë nga merkatoja, për të ndërtuar një Tiranë të madhe jo vetëm brenda kufijve shqiptarë, por edhe përtej tyre: pse jo, të bëjë ndonjë surprizë të këndshme në Champions League. Ky është Ilia Lonçareviç, trajneri i ri kroat i bardhebluve, i cili tashmë i ka hyrë punës me themeli. Të hënën ka mësuar edhe kundërshtarin, ndaj të cili do të duhet të bëhet edhe debutimi në turin e dytë të Champions League. Ai është Stabaeku, kampioni në fuqi i Norvegjisë, një skuadër pak e njohur. "Nuk kam informacion për kundërshtarin, por problemi është te skuadra jonë, e cila duhet të jetë gati për tre javë, ka thënë tekniku kroat. Do marr informacion për kundërshtarin nga disa kolegë nga Kroacia. Do punojmë shumë, kjo është kryesorja, prandaj besoj se mund ta kalojmë turin". Brenda pak ditëshm bardheblutë do të nisen për në Ohër, ku do të zhvillojnë edhe fazën përgatitore. Por, për momentin, trajneri mendon se duhen përforcime në merkato, pasi vetëm kështu mund të ndërtohet një ekip i madh, ashtu siç e kërkon kryedonatori Refik Halili. Por, megjithatë, ai thumbon disi drejtuesin bardheblu, ku thekson se "Tirana nuk paguan shumë për lojtarë të mëdhenj, kështu që do të marr disa lojtarë nga Kroacia, të cilët jam i bindur se janë të mjaftueshëm". Kryedonatorit i ka kërkuar katër lojtarë, nga një për repart: një portier, një mbrojtës, një mesfushor dhe një qendërsulmues. Synimi i tij duket se është për të ndërtuar një koloni të vogël kroatësh brenda Tiranës. I pari ka mbërritur që të hënën. Është një mbrojtës qendre, quhet Boris Raiç, kroat, 33 vjeç, ende s‘ka firmosur, ndoshta pas dy-tri ditësh. "Mendoj se është një përforcim për ne", shton Lonçareviç, i cili në stafin e ndihmësve të tij do të ketë edhe Luan Senglën.