Apolonia e Fierit ruan vendin ne Kategorine Superiore

Apolonia e Fierit do të jetë edhe sezonin e ardhshëm në Superligë pasi fitoi 3-0 përballjen e plej ofit ndaj Lushnjes. Skuadra fierake fitoi thellë, ndonëse nuk e pati aspak të lehtë në “Niko Dovana” të Durrësit, sepse lushnjarët luftuan fort sidomos që pas pësimit të golit të parë. Veçse, pasi humbën edhe një penallti, “lagunarët” nuk ia dolën të rezistonin deri në fund dhe u mposhtën nga kundërsulmet e Apolonisë.
Ribaj shënoi golin e parë për fierakët në 27’, pastaj kapiteni lushnjar Çela humbi penallti në 34’, ndërsa në pjesën e dytë shënuan Ribaj (goli i dytë personal) në 70’ dhe kapiteni Gërxhi 5 minuta para fundit.
Ky ishte plej ofi i tretë dhe i fundit mes skuadrave të Superligës dhe Kategorisë së Parë, dy prej të cilave u fituan nga ekipet superiore dhe vetëm njëra nga ekipi inferior. Besa u ngjit në Superligë pasi mundi 2-0 Kamzën të premten, Tomori fitoi me penallti ndaj Besëlidhjes të shtunën, ndërsa tani është radha e Apolonisë të fitojë derbin e Myzeqesë madje me rezultat të thellë 3-0, për të ruajtur statusin superor për edicionin 2012-2013.