E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça ’89 mbetet në lojë, Vëllaznimi dorëzohet

Trepça ’89 ka mbetur në lojë, në luftën e saj për titull të kampionit, pas fitores ndaj Drenicës. Ndërkohë, Vëllaznimi barazoi pa gola me Dritën dhe u dorëzua përfundimisht. Besa i fitoi pikët e mbijetesës ndaj Lirisë, e cila pas kësaj humbjeje u fut në ‘zjarr’.

Trepça 89’ i ka mbajtur gjallë shpresat për titull, pasi në shtëpi e ka mposhtur Drenicën me rezultat 2:1. Skuadra mitrovicase tashmë pothuajse është ndjekësja e vetme e Prishtinës në luftën për titull, pasi Vëllaznimi barazoi pa gola me Dritën në Gjilan.

Skuadra e Bylbyl Sokolit shumë mirë e nisi takimin kur në minutën e shtatë kaloi në epërsi me golin e Egzon Gashit.

Mirëpo, ‘Xehetarët’ arritën që deri në fund të pjesës së parë ta përmbysin rezultatin me golat e Kastriot Rexhës (32’) dhe Shpëtim Idrizit (44’).

Edhe pjesa e dytë ishte shumë interesante, por rrjetat mbetën të pa prekura deri në fund të takimit. Trepça 89’ mbetet e dyta në tabelë me dy pikë mbrapa Prishtinës, kurse Drenica e shtata me 37 pikë.

Drita – Vëllaznimi 0:0

Vëllaznimi i ka dhënë pothuajse fund luftës për titull të kampionit të Kosovës, pas barazimit të arritur pa gola në Gjilan ndaj Dritës.

Skuadra gjilanase ka pasur më shumë raste, por aspak mangut nuk ia la as ajo gjakovare, e cila e pati mundësinë më të mirë me Shpat Tetricën, i cili pas një harkimi të kapitenit Gashi, pas një gjuajtjeje me kokë e goditi tërthorësen.

Gjilanasit e kanë kërkuar një penallti në pjesën e dytë, por gjyqtari ka heshtur. Pas këtij barazimi, Kuqezinjtë mbeten 5 pikë prapa liderit Prishtina, vetëm tri xhiro pa përfunduar kampionati.

Besa – Liria 3:1

Skuadra pejane, Besa, ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme, kundër rivalit nga Dukagjini, Lirisë së Prizrenit, me rezultat 3:1.

Për dallim nga pjesa e parë, që përfundoi pa gola, në të dytën u shënuan katër sosh. Për ekipin bardh e kuq, hat-trick shënoi i disponuari për lojë Krenar Vokshi, ndërsa për skuadrën mysafire golin e vetëm e shënoi Klodian Sulollari.

Pas kësaj fitoreje, Besa mbetet në pozitën e gjashtë me 42 pikë dhe pothuajse e ka siguruar mbijetesën, kurse prizrenasit, pas kësaj humbjeje e rrezikojnë seriozisht mbijetesën në elitën e futbollit kosovar.

Tabela

1. Prishtina 59 pikë

2. Trepça '89 57

3. Vëllaznimi 54

4. Drita 47

5. Hysi 45

6. Besa 42

7. Drenica 37

8. Lepenci 36

9. Liria 35

10. Trepça 34

11. KEK-u 25

12. Gjilani 24

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›