Apolonia, mbrojtësin Muhaj e ndjek fati i Metos
Humbja me Teutën nuk është pranuar lehtë nga ana e drejtuesve të skuadrës fierake, të cilët kanë marrë dhe masat përkatëse. Të pakënaqur nga loja e skuadrës në përgjithësi, drejtuesit e klubit kanë marrë masën e përjashtimit nga ekipi të mbrojtësit Sokol Muhaj, duke mos u nisur vetëm nga ndeshja e radhës, por edhe në rrjedhë kronologjike.
Drejtuesit e klubit fierak e vlerësojnë performancën dhe etikën e sjelljes së Muhajt, e falënderojnë mbrojtësin në fjalë për kontributin që ka dhënë për ngjyrat e Apolonisë, por theksojnë gjithashtu se skuadra kërkon më tepër impenjim dhe nivele përfaqësimi më dinjitoze dhe se mbrojtësi nuk e ka justifikuar me rezultate qëndrimin në skuadër. Rasti i Muhajt është i dyti pas përjashtimit javën e kaluar të mesfushorit Agim Meto, edhe ky me të njëjtin motivacion.
Humbja Prishja e traditës javën e kaluar, teksa fitoi në transfertë, u balancua këtë javë me humbjen që Apolonia pësoi në fushën e vet me Teutën. Djemtë e detit kanë rezultuar kockë e fortë për fierakët. Apolonia ka shfaqur sërish probleme thuajae në të gjitha repartet. Mbrojtje e pasigurt, mesfusha jo shumë krijuese dhe një sulm larg zonës së Rizvanit dhe pothuajse pa shqetësim për portën mike.
Ka mjaftuar një pakujdesi e Muhajt dhe goli i Shetës për tri pikë mjaft të çmuara për Teutën, e cila tani e sheh veten dy pikë përpara Tiranës së vendit të dytë. Një humbje e hidhur kjo për skuadrën fierake, ndonëse e nënshkruar përballë skuadrës më të mirë të kampionatit aktual. E renditur momentalisht në vendin e nëntë në tabelën e klasifikimit, Apolonia riskon që, nëse del humbëse edhe në transfertën e Krujës, të humbasë të tjera pozicione në renditje.
Megjithatë, bardhejeshilët janë nën analizën e humbjes me durrsakët dhe do të dinë të nxjerrin mësimet e duhura për ndeshjen kundër krutanëve. Ekipi vuajti shumë trysninë e fitores me domosdo përballë publikut të vet dhe kjo i shkaktoi ngarkesë të papërballueshme, aq më tepër ndaj një kundërshtari që di ti shfrytëzojë mirë këto situata. Humbja mbetet humbje dhe justifikimet vijnë gradualisht e sfumohen.
