Shtini: Kam shpërdoruar raste, por nuk do të fal më
19-vjeçari kavajas, i ardhur këtë vit te Dinamo, kërkon më shumë nga vetja dhe shokët skuadrës për kampionatin dhe kupën
Pas barazimit 0-0 ndaj Shkumbinit për javën e 5-të të kampionatit, te Dinamo duket se do të ndryshojë situata, sepse kanë filluar të marrin pikë. Ky mendohet si një ogur i mirë për të vazhduar më tej, edhe pse ndodhen në zonën e ftohtë të tabelës së klasifikimit, me -1 pikë. Dihet që Dinamo ka një pezullim prej 3 pikësh për çështjen Bodrusiç, por me lojë do të rikuperojë, gjithçka sipas premisave që japin të rinjtë në këtë skuadër të ndërthurur me elementët e vjetër.
Duke pasur parasysh të rinjtë që i janë bashkangjitur skuadrës dinamovitë ketë vit, në ambientin e kryeqytetasve është bashkuar kavajasi Ariel Shtini gjatë merkatos së verës. Ai është formuar si futbollist te Besa, sepse ka qenë një zbulim nga ekipet zinxhir të kësaj skuadre. U futëm në fushë për të bërë më të mirën e mundshme, në mënyrë që skuadra të merrte fitoren.
Duke pasur parasysh pozitën e vështirë në renditje me pikët e hequra nga penalizimi i UEFA-s, ishim të detyruar të kërkonim patjetër fitore. Në atë takim sikur na kishte mallkuar fati, sepse humbëm disa raste të pastra, përveç disa problemeve që kemi në skuadër. Po e filloj nga vetja, që pata disa raste të pastra shënimi, pohon Shtini.
Kupa Për sa i takon ndeshjes së radhës, ajo është në Ballsh, ku do të ndeshemi me Bylisin për kompeticionin e kupës. Siç dihet, Bylisi vitin e kaluar ka luajtur deri në çerekfinale dhe është eliminuar nga Tirana në ndeshjen e kthimit. Dua tu kujtoj ballshiotëve se unë kam qenë ai që u kam shënuar në ndeshjet e kampionatit kur luaja me Besën. Kam shënuar në dy ndeshje decizive për Besën ndaj Bylisit.
Megjithatë, dua tia lë gjithçka fushës, sepse ajo do tregojë cilësitë e të dyja skuadrave. Është herët të flasim për përfundimin e fazës në grupe, por mendoj se ne do të jemi në dy vendet e para për kualifikimin në fazën tjetër. Ndërsa në kampionat do të luajmë me Laçin, dua të them se në fushën e tij është një skuadër e pakalueshme, por do të përqendrohemi si skuadër në ndeshjen e kupës, më pas gjithçka do të qartësohet edhe për ndeshjen e radhës në kampionat, ka përfunduar i riu kavajas Ariel Shtini.
Stërvitja, mungon vetëm Malota
Skuadra e Dinamos ka startuar përgatitjet të hënën në orën 16:00 për takimin e radhës në kompeticionin e Kupës së Shqipërisë ndaj Bylisit në Grupin D, ditën e mërkurë në Ballsh. Në këtë seancë nuk kishte mungesa, pra të gjithë futbollistët ishin të pranishëm pasi nuk deklarohen mungesa për shkak të gjendjes gripale, siç ishte Malota në ndeshjen e fundit apo edhe ndonjë i dëmtuar gjatë lojës.
Stërvitja u përqëndrua më tepër për një shlodhje pas takimit të kampionatit. Lojtarët zhvilluan disa veprime taktike me topin po ashtu edhe disa veprime me karakter aerobik. Dinamo do të ketë për ndeshjen e kupës të gatshëm të gjithë futbollistët, porn ë kampionat do të vuajë mungesën e Roland Peqinit pasi ka plotësuar numrin e kartonëve në ndeshjen e lënë pas.
