Partizani i premtuar do të nisë nga trajneri Shpëtim Duro
Pothuajse para gjashtë javësh Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ia dha të drejtën Ministrisë së Mbrojtjes që të regjistrojë Partizanin në sezonin e ri, sipas kërkesës së bërë nga dikasteri në fjalë. Pjesëmarrjen në kategorinë e dytë të kuqtë e kryeqytetit e kanë nisur si pjesë e ministrisë, por realisht deri në këto momente shumë pak është bërë për rimëkëmbjen e Partizanit. Deklaratat e para kanë qenë pompoze, pasi përfaqësues të ministrisë pohuan se ekziston plani për ringjalljene e legjendës.
Por në terren shikohet një Partizan, që lëngon ashtu si në vitet e fundit. Momentalisht të kuqtë kanë fushë stërvitore (ambientet e ish-Shkollës së Bashkuar), uniforma, autobus për të udhëtuar në transfertë, por aspekti financiar mbetet sërish mollë e ndaluar. Skuadra aktuale nuk ofron ende cilësi. Stafi teknik e ka nisur ndërtimin e ekipit pasi ishte mbyllur merkatoja e kategorive superiore dhe të parë.
Në tri javë të kuqtë kanë gumbulluar vetëm 4 pikë, shumë pak për një ekip që pretendon të rikthehet fuqishëm. Por mësohet se kjo gjendje është kalimtare dhe shumë shpejt pritet që te Partizani të vijë ndryshimi i premtuar. Nga burime të ndryshme, mësohet se projekti i ringritjes së Partizanit do të nisë nga trajneri, ku thuhet se këtë detyrë do ta marë një ish-lojtar dhe trajner i demave të kuq, Shpëtim Duro.
Për momentin ka kontradikta mes trajnerit aktual Neptun Bajko dhe të tifozëve, që e ndjekin ekipin në çdo hap edhe në kategorinë e dytë. Shpëtim Duro mbase përligj edhe shijet e atyre tifozëve të inatosur me gjendjen e Partizanit.
Por thuhet se pas trajnerit Duro është grupi i donatorëve, që pritet të marrin në dorë fatet e Partizanit, në mënyrë që të realizohet projekti i premtuar nga zyrtarët e mbrojtjes, ku thuhet se në kuadrin e pesë viteve, ekipi do të synojë titujt në superligë. Sipas këtyre zërave, thuhet se shumë shpejt do të ulen palët dhe pritet të materializohet projekti i ringjalljes së Partizanit.
