Sinani: Luftëtari, përqendrim maksimal për Butrintin
Ekipi gjirokastrit është fituesi që gjykohet, pasi fitoret me një gol diferencë i kanë lënë në ankth drejtuesit dhe tifozët e tij
Për ndeshjen Luftëtari-Lushnja, që u fitua 1-0 nga gjirokastritët, në mënyrë figurative do të thoshim se shqiponjat fituan ndaj gjelave të detit, sikundër është e natyrshme, por përtej kësaj, e vërteta është se kjo përballje kishte ngarkesë të madhe psikologjike. Kjo ishte më e madhe te Luftëtari, që, duke pasur parasysh objektivin që ka, në fushën e tij rrallë duhet të bëjë hap të gabuar, aq më tepër me rivalët.
Fituesi që gjykohet Thuhet se fituesi nuk gjykohet, por duhet marrë guximi për të thyer kornizën. Luftëtari, në 5 ndeshjet e zhvilluara deri tani (nuk luajti me Elbasanin), ka realizuar 4 fitore dhe ka pësuar 1 humbje, të gjitha me 1 gol diferencë. Ka shënuar 5 gola, me autorë Mersinin dhe Sinanin nga 2, përkatësisht një mesfushor dhe një mbrojtës, dhe 1 me sulmuesin Raboshta, me 11-metërsh.
Pa ndonjë koment, natyrshëm lind pyetja: kur do ti shpalosin vlerat e tyre sulmuesit e mirëfilltë? Nuk mund të mohohet se ata mund të shpërthejnë mbrojtjet kundërshtare dhe dikush tjetër të shënojë, por edhe nëse ndodh kështu, duhen shënuar më shumë gola, sepse me një të tillë jetohet në ankth deri në përfundimin e ndeshjes.
Luftëtari e ka ndeshjen e radhës me fqinjin më të afërt, Butrintin debutues, dhe, sikundër ka ndodhur tradicionalisht, gjithë ekipet e rajonit më jugor që e rrethojnë, gjithë kënaqësinë e kanë pasur dhe e kanë të dalin triumfues në përballjet direkte, ndoshat për tu mburrur, diçka e bukur për garat sportive.
Sinani Dy protagonistët e ndeshjes me Lushnjën janë Sinani, që realizoi, dhe Selimaj, që nuk pësoi. Besmir Sinani, që krahas rolit të tij në mbrojtje, repart që ka pësuar 2 gola, ka shënuar po aq, duke u bërë kështu edhe lektor për shënim goli. Ai ka ndikuar dyfish në fitoret e arritura deri tani dhe për ndeshjen e radhës me Butrintin thekson mes të tjerash se duhet përqendrim maksimal:
Edhe pse loja jonë në ndeshjen me Lushnjën pati dy fytyra, me një pjesë të parë me nivel të lartë dhe një të dytë jo në të njëjtin rang, arritëm një fitore të merituar. Duke marrë parasysh edhe rivalin, jemi të kënaqur plotësisht, edhe pse fitorja është minimale. Pa dyshim që u gëzova që shënova, por kjo nuk është vetëm merita ime, por në radhë të parë e Devollit.
Mendoj se kemi ende për të bërë, veçanërisht në aspektin sulmues dhe më saktë në finalizim. Ne e kemi të qartë se rruga është e gjatë për të mbërritur në superiore, kështu që do të na duhen shumë fitore dhe sakrifica. Këtë javë duhet të përqendrohemi për të përballuar me sukses në fushën e tij Butrintin, që nuk ka njohur humbje, edhe pse nesër do të luajmë në transfertë me Kastriotin për Kupën e Shqipërisë, u shpreh Sinani.
2 gola
Ka shënuar mbrojtësi Sinani në 5 ndeshjet e deritanishme, konkretisht në fitoren 1-0 me Lushnjën dhe në atë 2-1 me Skraparin
4 fitore
Me një gol diferencë kanë arritur gjirokastritët (3 nga të cilat 1-0 dhe tjetrën 2-1), 3 në fushën e tyre dhe një në transfertën e Himarës
