E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaraj: Gramshi, gjithmonë e më i pjekur si ekip

Nga Artan Paja

Skuadra e drejtuar nga trajnerët Mustafaraj dhe Isufi është kthyer me një pikë edhe nga transferta e vështirë e Mamurrasit. Sipas tyre, kjo ndeshje ishte shumë korrekte, ndonëse vendësit e kanë barazuar rezultatin gjatë minutave të fundit. Trajneri Mustafaraj e ka  falënderuar grupin e futbollistëve, të cilët, sipas tij, kanë treguar shpirt të lartë gare. Tashmë ai e ka hedhur vështrimin nga ndeshja e radhës me Vlorën, që nuk do të luhet në Gramsh, sepse fusha është dënuar me dy ndeshje nga komisioni i disiplinës.

”Jam i kënaqur më tepër nga loja sesa nga rezultati i ndeshjes së Mamurrasit. Pas çdo ndeshjeje, grupi i futbollistëve po demonstron pjekuri, një stad shumë i rëndësishëm për një skuadër që hyn në garë me objektiva të qarta. Tashmë jemi duke menduar për ndeshjen e radhës, atë me Vlorën rivale, që për fat të keq nuk do ta zhvillojmë në Gramsh, por në një fushë asnjanëse. Natyrisht që kjo është edhe mbetet sfida e radhës për Gramshin, – u shpreh për Sportin shqiptar trajneri Edmond Mustafaraj.

Ndërkaq, mësohet se për barazimin në Mamurras është në fuqi shpërblimi i akorduar nga kryebashkiaku Dritan Bici, i cili i duhet ta dyfishojë atë gjatë javës së ardhshme, me qëllim që Gramshi të jetë sa më i motivuar në fushë. Ende nuk është përcaktuar fusha, ku do të zhvillohet takimi i radhës për ekipin gramshiot, por më i favorizuari mbetet stadiumi ”Nexhip Trungu” i Cërrikut, por më parë duhet marrë aprovimi nga FSHF-ja.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›