E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESh në ndihmë të Marrëveshjes së Kankunit

Deri më 2025-n, Shqipëria 50% më pak dioksid karboni. Ky fakt do të ndodhë në bazë të Marrëveshjes së Cancunit (Kankunit), ku vendet në zhvillim, si Shqipëria, duhet të raportojnë se çfarë po bëjnë konkretisht për reduktimin e gazrave me efekt sere dhe kryesisht për dioksidin e karbonit, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të japë ndihmën e saj në këtë drejtim, duke iu referuar edhe agjencisë që ka krijuar brenda strukturës së saj për menaxhimin e mjedisit. Shqipëria, si një vend potencial për anëtarësim në BE, është angazhuar që, përmes një zhvillimi ekonomik të pastër dhe miqësor me mjedisin, të ulë emetimin e dioksidit të karbonit me 48% deri në vitin 2025. Krijimi i Fondit të Gjelbër të Klimës për financimin e projekteve të tillë është pjesë e Marrëveshjes së Cancunit (Kankunit), Meksikë, të arritur në dhjetorin e kaluar, në përfundim të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike. Ai shënon momentin e një kthese rrënjësore për një botë më të sigurt, më të begatë dhe më të qëndrueshme për të gjithë. Shqipëria përfiton nga ky Fond, pasi është palë në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike dhe në Protokollin e Kiotos. Në bazë të Marrëveshjes së Kankunit, vendet në zhvillim, si Shqipëria, duhet të raportojnë se çfarë po bëjnë konkretisht për reduktimin e gazrave me efekt sere dhe kryesisht për dyoksidin e karbonit. Dhe në këtë kontekst, Sekretariati i Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara do të bëjë vlerësimin e projekteve që kërkojnë financim ndërkombëtar nga Fondi i Gjelbër i Klimës. Sipas statistikave, në Shqipëri emetohen në atmosferë rreth 7,6 milionë tonë dioksid karboni, apo 2,7 tonë për frymë të popullsisë. Ky tregues është 4-5 herë më i ulët se mesatarja në vendet e industrializuara. Kjo situatë vjen kryesisht nga prodhimi i energjisë nga hidrocentralet dhe jo termocentralet. Dhe kjo, i jep mundësi Shqipërisë të blejë kuota të reduktimit të gazit karbonik nga vende të zhvilluara. Në këmbim, këto vende financojnë projekte të zhvillimit të qëndrueshëm që nuk ndotin mjedisin. Shqipëria ka blerë të tilla kuota nga Danimarka dhe Italia, që po financojnë projekte për prodhimin e energjisë nga dielli, era dhe burimet hidrike. Burime zyrtare nga Ministria e Mjedisit pohojnë se Shqipëria po kërkon të marrë pjesë në tregun e karbonit edhe në vende të tjera të BE-së. Sektori i energjisë përbën rreth 50% të potencialeve që ka Shqipëria për reduktimin e emetimit të dioksidit të karbonit në atmosferë. Shmangia e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë, rinovimi i teknologjisë në hidrocentralet ekzistuese, përmirësimi i legjislacionit, janë masat që Shqipëria po merr në këtë drejtim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›