Apolonia nxjerr "nudo" Partizanin
Kambanat e alarmit kanë filluar të bien për Partizanin. Këtë herë nuk bëhet fjalë për pamundësi të pjesëmarrjes më luftën për titullin kampion, por për kahun e kundërt, atë të lundrimit të rrezikshëm në zonën e ftohtë të fundit të tabelës. Edhe pse disa kishin shpresuar se ky Partizan do ta marrë veten nga ndeshja në ndeshje, u desh të vinte Apolonia, ajo që në 90 minuta ka nxjerrë "nudo" skuadrën e presidentit Xhani dhe problemet e shumta të tyre. Partizani pësoi humbjen e dytë rresht në shtëpi, u mundën 1-0 nga fierakët. Një fillim i ekuilibruar i ndeshjes. Miqtë krijojnë raste, pretendojnë për një penallti të mohuar, tregojnë një skuadër simpatike me mënyrën se si luajnë. Ka dyluftime të forta. Por, fati i këtij takimi do të përcaktohej në minutën e 35-të kur një gafë e pafalshme e portierit dhe njëkohësisht kapitenit të të kuqve, Orges Shehi, u ka dhënë mundësinë miqve të kalojnë në avantazh: Klodian Asllani lëshoi një goditje pa shumë pretendime një diagonale brenda zonës, por i "ndihmuar" dhe nga gabimi foshnjarak i portierit Shehi, topi përfundon në rrjetë. Reagimi i Partizanit nuk mungon, por asnjëherë nuk pati forcën e duhur për të depërtuar përtej katërkëndëshit të portës fierake. I është afruar ndjeshëm barazimit me brazilianin Roma, i cili ka bërë të drithërohet porta mike, por ka qenë i pafat në gjuajtjen e tij. Apolonia nuk është e ngopur dhe provon të dyfishojë rezultatin me anë të Dhramit. Goditja e këtij të fundit nuk ka qenë plotësisht e saktë. Kundërpërgjigjja e Partizanit vjen me Hallaçin, që dërgon një tjetër top në zonë, por braziliani Bruno nuk ka mundur ta devijojë atë drejt portës. Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 1-0 për fierakët, ndërkohë që në pjesën e dytë, të kuqtë mund të kishin barazuar, nëse gjuajtja e Capës në minutën e 72 nuk do të kishte tronditur shtyllën e Apolonisë, pikërisht aty ku bashkohet me traversën. Partizani këmbëngul shumë, krijon një mori rastesh të rrezikshme. Atyre u mungon njeriu asist, ndërkohë që sulmi është krejtësisht në hije në pjesën e mbetur të minutave. Fierakët e kanë mbrojtur mirë gjatë gjithë kohës atë gol të çmuar, por nuk kanë hequr dorë për asnjë moment nga një gol i dytë me një tjetër mundësi të artë, e cila për fatin e mirë të përplaset në shtyllën e portës së Orges Shehit. Fierakët aplikojnë shumë mirë kundërsulmin dhe vënë mbrojtjen e të kuqve në panik, ndërsa Partizani shpërfytyrohet nga tensioni i tepërt dhe shumë hapësira mbrapa. Skënderaj i Apolonisë provon t‘i ndëshkojë, por deri në minuat e fundit rezultati nuk ndryshon. Apolonia mund të shënonte më shumë se një gol, por edhe i realizuar nga sulmuesi kuçovar, Asllani, i mjaftoi trajnerit Gerti Haxhiu të çonte në Fier tri pikë të arta, e t‘i jepte fund serisë së humbjeve. Partizani, që nuk fiton qysh nga java e parë, duhet të reflektojë pas humbjes së tretë sezonale. Diferenca me kryesuesen Tirana është 9 pikë.