E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikja e qetë e Paul sykaltrit

Paul Newman, sytë e kaltër të së cilit "depërtuan" miliona zemra, meshkujsh dhe femrash, si kur luante kaubojit e jashtëligjshëm, ashtu edhe xhentëlmenët, ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare. Beteja e fundit e tij ishte ajo me kancerin, një betejë e gjatë, që më në fund i dha fitoren sëmundjes. Paul mbylli sy në fermën e tij në Konektikat, mes njerëzve të dashur të familjes dhe miqve të afërt. Në kinematografi do të mbahet mend gjatë për rolin e tij "zemërthyes" të Butch Cassidit në filmin "Sundance Kid", ku luan së bashku me Robert Redford. Për publikun amerikan, finalja e këtij filmi mbetet një nga më të famshmet e kinematografisë amerikane: dy desperados-ët ia kanë marrë vrapit mes plumbave e zjarrit për t‘i shpëtuar asgjësimit nga ushtria boliviane. Por vetë ikja e Newman-it ishte e gjatë dhe jo e ashpër, derisa në një moment të caktuar të duelit me kancerin ky i fundit arriti triumfin. Edhe nga filmat Paul u zhduk pak nga pak, duke marrë me kalimin e moshës gjithnjë e më pak role, ndërkohë që aktorët e sërës së tij dhe të moshës sigurisht nuk hoqën dorë nga profesioni deri në minutat e fundit, e madje disa syresh lëvruan edhe karrierat e regjisorëve. Arsyeja ishte se pavarësisht 50 roleve që luajti në kinema dhe që mund t‘i kishte dyfishuar në të ardhme, ai preferoi tërheqjen në jetën private në vend të jetës plot ulje e ngritje të Hollivudit. Lindi në një lagje periferike të Clevelandit, Ohajo, në vitin 1925 dhe ishte i biri i një shitësi veshjesh sportive. Nga të dy prindërit, e ëma pati ndikim më të madh tek ai për sa i përket profesionit. Ishte ajo që e nxiti të aktronte që nga mosha 7-vjeçare në shkollë, në shfaqjet që organizoheshin aty. Lufta e Dytë Botërore e çoi të riun Newman në Hawai dhe Paqësor, në marinën amerikane. Ëndrra e tij ishte që të bëhej pilot, por ishte një ëndërr e mbetur në sirtar, pasi, pas një ekzaminimi të hollësishëm shëndetësor, doli se ai nuk i dallonte mirë ngjyrat. Por, pavarësisht, ai mori pjesë në betejën e Okinawas si radiomarrës në një anije ushtarake. Më pas ai u mor me studimin e aktrimit nën supervizionin e Lee Srasberg, në një studio aktorësh në Nju Jork. Dhe nisi menjëherë një karrierë në Broadway. Debutimi i parë kinematografik ishte ai i vitit 1954. Më pas ai e përshkruan atë si filmin më të keq të prodhuar në vitet ‘50. Loja e tij aktoreske iu duk shumë e dobët dhe sipërfaqësore, por kur e pa të njëjtin film 12 vjet më vonë në televizion, ndryshoi mendim dhe shkroi për të njëjtin film një kritikë përkrahëse, duke kërkuar njëherazi edhe ndjesë për kritikën fillestare. Më pas luajti rolin e një sportisti të alkoolizuar, gjithë muskuj e arrogancë, përballë bukuroshes Elisabet Tejlor. Ky rol ishte refuzuar më parë nga Elvis Priesly dhe pikërisht për këtë rol Newman merr një kandidim për "Oskar", i pari në listën e gjatë mes 10 kandidimeve. Ai e takoi Joanne Woodward ndërsa ajo ndodhej në Nju Jork për studime. Ata u martuan menjëherë. Për Newman kjo ishte martesa e dytë. Më pas luajtën bashkë në filmin e famshëm, "Një verë e gjatë dhe e nxehtë", në vitin 1958. Së bashku luajtën në dhjetë filma të tjerë, deri tek ai i vitit 1990, "Mr. and Mrs.Bridge". Më pas ai u bë regjisori i një filmi të saj, "The Glass Menagerie". Vitet ‘60 me shijen për rebelizëm dhe rebelë e çuan Paul në majë të yjeve të Hollivudit, kryesisht me filmin "The hustler and Cool Hand Luke", në të cilin ai luante një të burgosur që refuzoi të nënshtrohej e vihej përposhtë nga sistemi shtypës i burgut. Në atë kohë mbështetja e hapur që i bëri kandidatit presidencial anti-luftë, Eugene McCarthy, e bëri kundërshtarin numër 1 të Presidentit Riçard Nikson. Vetë aktori e cilëson këtë përfshirje si më të suksesshmen e jetës së tij. Ai ndërkohë ishte edhe ylli i kinemasë, njeriu që adhurohej nga të gjithë artdashësit. Vitet ‘70 e panë atë sërish në duet me Robert Redfortin në "The Sting", ku çifti luante një rol nga periudha e depresionit. Por në këtë moment atij i kishte lindur dëshira dhe pasioni për t‘u marrë me gara shpejtësie, madje në një të tillë doli i dyti në vitin 1979. Në vitet ‘80 ai rimori edhe njëherë rolin e Fasr Eddie nga "The Hustler", me regji të Martin Scorseses, e më pas në filmin "The colour of Money", me të cilin më në fund fitoi edhe "Oskar"-in si aktori më i mirë. Filmi i tij i fundit i ekranit të madh ishte ai në të cilin luan rolin e një shefi klani në vitin 2002. Filmi quhej "Road to Perdotion", në të cilin u shfaq së bashku me Tom Hanks. Ky i fundit, sikurse edhe Cruise, ishte ndër të paktët aktorë të gjeneratave të reja që mund të luanin përkrah të madhit Newman. Kur mbushi 80 vjeç ai vazhdoi që të kërkohej për role të tjera, por jo më të ekranit të madh. Kështu fitoi një çmim "Emmy" dhe një "Golden Globe" për filmin "Empire Falls". Në vitin 1986 ai fitoi një "Oskar" nderi për të gjitha rolet e tij të deriatëhershme dhe për integritetin personal dhe dedikimin ndaj profesionit. Në vitin 1994 fitoi një "Oskar" të tretë, çmimin "Jean Hersholt" për punën e tij si bamirës. Një vit më parë, më në fund ai njoftoi se e kishte mbyllur njëherë e mirë me profesionin dhe me këtë rast tha: "Në një moshë të caktuar nis të humbasësh kujtesën, nis të humbasësh besimin, krijimtarinë. Mendoj se jam në këto ujëra, ndaj më mirë po largohem duke e mbyllur këtë kapitull". Por edhe pas kësaj atij iu ofrua që të drejtonte një vepër klasike të John Steinbeck, "Of Mice and Men", pasi ndihej i sëmurë. Pikërisht në këtë periudhë kanceri kishte nisur të bënte përparime të mëdha. Në muajin gusht u tha se ai i përfundoi mjekimet me kimioterapi dhe i shprehu dëshirën familjes se do të donte të vdiste në shtëpi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›