E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diana Çuli, një takim me lexuesit

Krahas festivalit të shoqatës shqiptaro-franceze "Takimet muzikore të dy botëve-Argjiro 2008", në Gjirokastër është çelur një tjetër festival ndërkombëtar. Bashkia e qytetit ka çelur dje një aktivitet që, sipas zëdhënësit të saj, do të organizohet me rastin e ditëve të trashëgimisë kulturore. Gjithçka ka nisur në ambientet e sheshit të "Çerçizit", ku është zhvilluar fillimisht ceremonia e çeljes së "Panairit të librit shqip" nga "Shoqata e Botuesve Shqiptarë". Ndërkaq, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, artistë të ftuar dhe qytetarë të thjeshtë ishin të pranishëm gjatë ceremonisë së hapjes së këtij panairi që shënon fillimin e një vargu aktivitetesh që do të organizohen në tri ditët e tij. Nën interpretimin e bandës frymore të qytetit, daulleve dhe sazeve dhe të valleve të pjesëmarrësve, artistë të ardhur nga Mali Zi, Maqedonia, Kosova, Greqia dhe Shqipëria u nisën drejt qendrës historike të qytetit. Koncertet do të zhvillohen në dy pika të qytetit, në bulevardin e "18 shtatorit" dhe në odeonin e qytetit në pjesën historike. Shkrimtarja Diana Çuli ka promovuar në Gjirokastër disa nga krijimet e saj më të fundit, me rastin e çeljes së "Panairit kombëtar të librit shqip". Sipas presidentit të "Shoqatës së Botuesve Shqiptarë", Fatmir Toçi, në edicionin aktual të "Panairit kombëtar të librit" në Gjirokastër kanë marrë pjesë rreth 30 shtëpi botuese dhe janë ekspozuar rreth 10 mijë tituj librash të shkrimtarëve e poetëve të njohur shqiptarë, kosovarë e të huaj. Panairi në ditën e parë të tij është vizituar nga një numër i madh njerëzish. Shkrimtarja Diana Çuli, në praninë e miqve, të ftuarve dhe personaliteteve të shquara, ka zhvilluar një takim, në të cilin ka prezantuar katër tituj të rinj librash, botuar kohët e fundit. Romanet "Gruaja në kafe" dhe "Nata u nda në mes", "Rekuiem", si dhe "Diell në Mesnatë", kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit. Autorja i afrohet lexuesit me subjekte dhe tema interesante për sa i përket trajtimit të çështjes së ditës, dhe sidomos fatit të gruas dhe vajzës shqiptare. Diana Çuli është autore e shtatë romaneve, tre vëllimeve me tregime, skenarë filmash artistike, studime sociale e letrare etj. Ajo shquhet për një stil të veçantë, ndërkohë që veprat e saj janë botuar e përkthyer në disa gjuhë të huaja.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›