E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika e Vjetër dhe Politika e Re

Kohët e fundit kemi dëgjuar shpesh termat ‘politikë e vjetër‘ dhe ‘politikë e re‘. Opinioni publik është i ndarë në konceptimin e këtyre dy termave, kjo mund të jetë për shkak të mos-interpretimit të saktë apo transformimit të qëllimshëm të bërë nga disa figura politike të cilët i interpretojnë ato në favor të tyre. Ky slogan politik u prezantua nga lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili vazhdon ta përdorë në çdo deklarim publik, duke e kategorizuar veten dhe partinë që ai drejton si ‘politikë e re‘. Për shkak se kopirajti i përdorimit në retorika politike të kësaj terminologjie i përket atij dhe partisë së tij, partitë e tjera, sidomos Partia Demokratike dhe Kryeministri Berisha kanë bërë çmos ta tregojnë me vepra, me spote publicitare apo me fjalë se janë ata që i përkasin ‘politikës së re‘. Por, si mund t‘i kuptojmë këto dy terma? Si mund t‘i dallojmë partitë, liderët e tyre, qeveritarët, dhe këdo që ka për detyrë drejtimin e këtij vendi, se cilës kategori i përkasin?

‘Politika e re‘ dhe ‘politika e vjetër‘ janë shumë të thjeshta për t‘u kuptuar. Mjafton të bëjmë dallimin midis qeverisjeve, politikave të ndërmarra, shembullit etik dhe profesional, vlerave të lidershipit politik të reflektuara në shoqëri, dhe zbatimin e ligjit gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të kaluara, me atë që çdo shqiptar kërkon të ketë apo të jetë. Pra, Shqipëria e djeshme dhe e sotme me atë që duhet të jetë dhe që meriton.

Gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të fundit, populli shqiptar është përdorur, mashtruar dhe dhunuar prej klasës politike në përgjithësi dhe disa individëve në veçanti. Qeveritë e mëparshme dhe kjo e sotme duhet të ishin të përzgjedhura nga populli dhe për popullin, dhe jo mbi popullin. Një qeveri e politikës së re do ishte një qeveri në krah të shqiptarëve dhe jo mbi apo përballë shqiptarëve. Ne jemi një popull i lirë dhe i zgjuar, ndaj urrejmë të sundohemi dhe të na fyejnë inteligjencën me gënjeshtra dhe truke politike amatoreske.

Sot nuk ka asnjë shqiptar që nuk beson se vendi drejtohet prej një njeriu të vetëm, i cili de facto kontrollon çdo pushtet të qeverisjes, përfshirë edhe median. Kjo e bën sistemin e qeverisjes autokratik dhe jo demokratik. Shenjat autokratike, madje shpeshherë totalitariste, janë shumë të dukshme dhe të prekshme. Në praktikën mjekësore, pacienti mëson nga doktori dhe jo e kundërta. Kryeministri i Shqipërisë e ka treguar veten si dishepulli më i mirë i pacientit të tij të dikurshëm, ai që burgosi Shqipërinë për gjysmë shekulli dhe po përdor të njëjtat metoda qeverisjeje. Ditët e fundit, Kryeministri krahasoi protestën paqësore të opozitës me demonstratat e revolucionit kulturor kinez, duke luajtur kartën e dështuar të anti-komunizmit. Duhet kuptuar njëherë e përgjithmonë se demokracia nuk është anti-komunizëm, demokracia është sistem. Demokracia nuk ka tranzicion, ajo thellohet ose zgjerohet. Këtë sistem qeverisës nuk e kemi shpikur ne, ajo ka ardhur nga jashtë ndërsa ata që e aplikojnë kanë ardhur nga brenda, fatkeqësisht jo njerëzit më të mirë që kemi.

Në një politikë të re, sistemi i qeverisjes duhet të jetë demokratik, me ndarje pushtetesh dhe institucione të pavarura, të cilat kontrollojnë dhe balancojnë njëra-tjetrën. Një qeverisje ku shoqëria civile punon për kombin dhe nuk ndikohet, pengohet, apo ndërrohet nga qeveria. Një qeverisje që garanton zgjedhje të lira, promovon të drejtat e njeriut dhe mbështet të drejtën e pronës.

Në politikën e sotme thuhet se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Në fakt, sot, disa janë më të barabartë sesa të tjerët. Me arrestimin e disa peshqve të vegjël, në kuadrin e luftës ndaj korrupsionit, peshkaqenët notojnë të lirë nëpër institucione dhe pozicione të larta qeverisëse. Në një politikë të re, ligji mbron popullin nga qeveria dhe qeverinë nga populli, dhe kushtetuta kushtëzon mazhorancën dhe mbron opozitën. Në një politikë të re, një qytetar i thjeshtë është po aq i barabartë përpara ligjit sa edhe kryeministri apo presidenti i një vendi.

Gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të fundit, shqiptarët kanë humbur më shumë se tre vjet të jetës së tyre. Një llogaritje e thjeshtë e shumëzimit të orëve pa drita në ditë, me ditët në muaj dhe muajt në vit tregon se ne jemi privuar nga më shumë se tre vjet jetë. Populli shqiptar është një popull që meriton të ketë sigurinë e një jete normale. Në një politikë të re qeveria ndërmerr politika afatshkurtër dhe afatgjatë duke treguar vullnet, vizion, transparencë dhe nënshkruan një marrëveshje publike me qytetarin, se nëse nuk plotëson nevojat minimale të tij qeveria jep dorëheqje dhe i hap rrugën dikujt tjetër që mund ta nxjerrë vendin nga kriza.

Gjatë viteve të kaluara, pra ‘politikës së vjetër‘, shqiptarët kanë përjetuar nga traumat më të tmerrshme të historisë së njerëzimit. Sikur mos t‘i mjaftonte diktatura gjysmë-shekullore, populli ynë duhet të kalonte edhe eksperienca lufte ku do armatosej çdo shtëpi, do vrisnin njëri-tjetrin dhe se nuk dihej se cili ishte armiku. Një komb i tërë u mashtrua, shitën shtëpitë dhe me duart e tyre u dhanë paratë mashtruesve dhe hajdutëve të garantuar dhe licencuar nga qeveria. Me sa duket, lypsej edhe një bombë atomike në Shqipëri për të plotësuar listën e terroreve të historisë. Gërdeci vrau njëzetegjashtë shqiptarë, tronditi dhe terrorizoi të tërë vendin dhe i tregojë botës se ky është vendi i tragjedive dhe se duhet ta mbajnë një sy dhe një vesh hapur për nga ky vend. Tragjedia e radhës nuk vonoi. Dëshmitari kryesor për zbardhjen e Gërdecit, vdes në rrethana të misterioze të ngjashme me histori spiunazhi.

Një aspekt tejet problematik dhe shqetësues i ‘politikës së vjetër‘ është mungesa e virtytit te qeveritarët dhe politikanët. Sipas Aristotelit, drejtuesit e një shteti duhet të njohin mirë kushtetutën, të jenë administrues të shkallës së lartë dhe njerëz me virtyt. Nëse atyre u mungon virtyti, atëherë qeverisja kthehet në interesa vetjake. Mungesa e virtytit duket qartë në qeveritarët dhe politikanët e sotëm, madje vlerat dhe etikat që ata transmetojnë në shoqëri janë negative dhe shkatërruese. Populli shqiptar ndjehet i fyer kur sheh Kryeministrin të bëjë kërcënime për jetën, të përdorë fjalë banale, të ofendojë me fjalë rrugësh, sepse çdo familje derdh gjak dhe djersë për të edukuar fëmijët e tyre të jenë njerëz me kulturë dhe mundi i tyre shkon dëm vetëm nga një seancë parlamentare apo deklarate për shtyp.

Populli shqiptar ndjehet i shfrytëzuar, sepse qeveria me politikën e saj të vjetër përdor paratë e popullit për të paguar miliona euro për spote publicitare, të cilat mundohen të bindin qytetarët dhe fshatarët për punën e qeverisë. Politika e vjetër ka vrarë shpresën dhe dhunuar dinjitetin e shqiptarëve, por ka një dritë në horizont, nuk është akoma vonë për të çrrënjosur mentalitetin e vjetër. Duhet të nisim të mendojmë dhe besojmë ndryshe, dhe të refuzojmë të mashtrohemi. Duhet të kuptojmë se dallimi midis ‘politikës së vjetër‘ dhe ‘politikës së re‘ është ndryshimi midis së shkuarës dhe së ardhmes, midis regresit dhe progresit, duke reflektuar një etikë qytetare dhe vlerë kombëtare, duke treguar se jemi një komb i mençur dhe liberator.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›