Bicaj:Nuk ka alarm, Skënderbeu do të rikthehet në krye
Mbrojtësi i qendrës për korçarët, Ditmar Bicaj, pas mungesës në Laç, në ndeshjen ndaj Kamzës do të jetë gati për lojë
Lexoj nëpër media, dëgjoj shpesh gjatë këtyre ditëve që shqetësimi i vetëm i kësaj superlige jemi vetëm ne. Unë do tu thoja të gjithëve që këto javë të para janë thjesht jo të mira për ekipin e Skënderbeut dhe asgjë më shumë se kaq, madje nuk është e udhës që të vihet alarmi, pasi vetëm katër javë kanë kaluar dhe kemi edhe shumë të tjera përpara.
Faktikisht duhet të kishim 10 pikë, por ja që në këto katër javë kemi mbledhur vetëm gjysmën e tyre. Ky është futbolli dhe këtë vit po luajmë mirë, por s’po marrim rezultatet, ndërkohë që një vit më parë në shumë ndeshje nuk kemi luajtur mirë, por kemi marrë rezultatet. Ndodhin edhe gjëra të tilla.
Kështu ka deklaruar gjatë ditës së djeshme mbrojtësi shtatlartë i Skënderbeut, Ditmar Bicaj, që në fakt nuk ishte prezent në fushën e Laçit në humbjen e fundit që pësoi skuadra e tij, pasi ndaj peqinasve një javë më parë u ndëshkua me kartonin e kuq dhe ndaj kurbinasve shleu edhe dënimin njëjavor.
Vendin e tij e zuri Gvozdenoviç, ndërkohë që ndaj Kamzës, Skënderbeu do të jetë më i qetë, pasi do ti kthehen disa lojtarë. Deri tani mbrojtja e Skënderbeut ka pësuar tre gola në katër javë dhe dy prej tyre i pësoi në Laç. Dy penallti janë dhënë kundër kampionëve dhe të dy golat janë shënuar.
Golat Shqetësimi për të gjithë në Korçë është mungesave e golave të shënuar, pasi prapavija nuk ka probleme. Për këtë mungesë të golave të sulmuesve dhe për rezultatet e deritanishme të këtij Skënderbeut, Bicaj më tej do të thoshte: Në fakt, me gol vjen fitorja, me gol do të jemi edhe më të qetë dhe përderisa kjo mungon ne sigurisht që nuk mund të ndihemi mirë.
Mendoj se Skënderbeu ka një sulm shumë cilësor, por ndoshta në këto javët e para lojtarët që kanë ardhur nuk janë përshtatur, por të jeni të bindur që Xhafaj, Muzaka, Kërçiku, apo edhe të tjerët do ti shikoni në vazhdim të kësaj superlige.
Humbjen në Laç nuk e meritonim, pasi të gjithë e panë që na u mohua një gol dhe ne luajtëm shumë mirë në atë ndeshje, por gjithçka tashmë një kapitull i mbyllur dhe duhet të shohim vetëm përpara. Duhet të jemi të gjithë bashkë dhe jo nën presion dhe shumë shpejt të gjithë kundërshtarët tanë kanë për të na parë në krye.
Gjoba I pyetur në lidhje me gjobën prej 30% që është vendosur nga ana e klubit, Bicaj nuk ka dashur ta komentojë, gjë të cilën nuk e ka bërë deri më sot asnjë te Skënderbeu, edhe pse gjoba është prerë dhe rrogën e gushtit të gjithë lojtarët e kanë marrë të reduktuar. Gjithsesi, në lidhje me ndeshjen e radhës, Ditmar Bicaj do të pohonte:
Kemi kohën e mjaftueshme deri fundjavën e ardhshme për ndeshjen ndaj Kamzës. Ajo ndeshje do të jetë edhe kthesa e Skënderbeut dhe ne jo vetëm që jemi të bindur që do të fitojmë, por do të kënaqim të gjithë edhe me lojën që do të zhvillojmë. Fati nuk ka qenë me në disa ndeshje, por kjo nuk do të thotë që edhe ndaj kamzalinjve do të kemi sërish fatin e zi. Kamzën e presim me padurim për tu kthyer edhe një herë si kampionë.
Pas Janina sot zyrtarizon ardhjen, të dielën miqësorja
Miqësorja mes Skënderbeut dhe Pas Janinës, për të gjitha hollësitë e saj, në lidhje me orarin dhe ardhjen e skuadrës greke në qytetin e Korçës do të mësohet vetëm ditën e sotme në orët e pasdites. Klubi grek ka konfirmuar vetëm faktin që kjo ndeshje testuese do të luhet të dielën dhe jo ditë tjetër që përflitet.
Sot klubi kuqebardhë pret shkresën zyrtare në lidhje me axhendën e skuadrës greke, pasi kanë qenë korçarët që e kanë kërkuar një gjë të tillë, për të programuar edhe stërvitjet deri të dielën. Kjo do të jetë miqësorja e kthimit, pasi ndeshja e parë u luajt në stadiumin e Janinës në fund të muajit gusht, ku Skënderbeu humbi 1-2.
Arapi, shqetësimi i vetëm i këtyre ditëve
Renato Arapi, mbrojtësi i krahut të majtë për korçarët, gjatë pasdites së djeshme ka ndier dhimbje në kavilje, ndërkohë që ky ka qenë shqetësimi i orëve të fundit për kampionët. Por sipas mjekut Jorgo Pantazi, ky është një dëmtim i lehtë dhe do të kalojë shpejt, ndërkohë që, pavarësisht dhimbjeve, Arapi nuk e ka lënë stërvitjen.
Deri në ndeshjen e fundjavës së ardhshme ndaj Kamzës, pritet që infermieria e Skënderbeut të zbrazet krejtësisht, ndërkohë që Arapi do të jetë një tjetër zgjidhje për Duron, ku nëse Gvozdenoviç luan si mbrojtës i krahut të majtë, atëherë Arapi do të jetë në mesfushë, po në të njëjtin krah, gjë që Duro e ka praktikuar disa herë gjatë këtyre javëve të para.
Korçarët, më të qetë pas humbjes në Laç
Humbja në Laç për kampionët nuk është pritur mirë nga asnjë në qytetin juglindor, ndërkohë që edhe vetë lojtarët një ditë pas humbjes, por edhe të martën, kanë ndier presionin mbi tyre. Kjo u ndje edhe te Xhafaj, që deklaroi se nuk do të flasë për mediat deri në muajin dhjetor, ndërkohë që pas këtyre ditëve jo fort të mira për Skënderbeun, dje gjendja ka qenë më e qetë.
Në këtë gjendje ka ndikuar edhe trajneri Duro, i cili është duke futur në skuadër një frymë pozitive, ndërkohë që deri fundjavën e ardhshme ekipi do të jetë me moral të lartë dhe qetësia ka mbizotëruar qysh dje te të gjithë lojtarët.
