Appassionati, muzikë për publikun e Beratit
Sot, në Pallatin e Kulturës të qytetit të Beratit do të mbahet festivali i parë muzikor “Një mbi një tinguj”. Në këtë festival ku do të marrin pjesë më shumë se 50 muzikantë francezë, do të jenë protagonistë kuarteti francez i klarinetave “Appassionati” dhe Ansambli Orkestral Marcillac. Nata e sotme, që shënon edhe çeljen e festivalit, do të mbushet me muzikë nga kuarteti “Appassionati”, të cilët do të interpretojnë pjesë nga Mozart, Brahms, Piazzolla, Albinoni si dhe muzikë klezmer. Sipas drejtorit artistik të festivalit, instrumentisti shqiptar Genti Dollani ka zgjedhur një larmishmëri muzike për të kënaqur të gjithë publikun. Natën e dytë, performanca i takon Ansamblit Orkestral Francez, i cili, përveçse do të interpretojë pjesë nga Puchedu, Morricone, Ray Charles, e muzikë klezmer, do të sjellë për publikun edhe muzikë shqiptare. Kuarteti i klarinetave “Appassionati” është krijuar në shtator të vitit 2000, si rezultat i dëshirës, vullnetit dhe pasionit të katër muzikantëve. Që nga krijimi i tij, formacioni profesional ka dhënë mjaft koncerte në skena të ndryshme franceze dhe është mirëpritur jo vetëm nga publiku, por edhe nga media, e cila ka komentuar vazhdimisht dhe pozitivisht performancat e tyre. Kuarteti që përbëhet nga Genti Dollani, Matthieu Luçon, Aurélien Cesscousse dhe Gilles Vernet, ka në repertorin e tij muzikë klasike, muzikë nga Europa Perëndimore, Afrika e Jugut, muzikë klezmer dhe jazz. Ansambli Orkestral i Marcillac është krijuar në vitin 1920. Orkestra përbëhet prej 40 muzikantësh. Ajo ka një histori të pasur koncertesh, muzikantësh dhe drejtuesish gjatë ekzistencës së saj. Prej vitit, 2003 orkestra e Marcillac ia ka besuar drejtimin e saj, muzikantit shqiptar Genti Dollani.
#