E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikë e re kufitare me Maqedoninë

Bulqizë

Së shpejti pritet të përurohet hapja e një pike të re kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Kjo pikë e re kufitare do jetë e vendosur në fshatin Vërnicë të Komunës Trebisht në rrethin e Bulqizës. Përpjekjet për hapjen e këtij vendkalimi të ri kufitar midis dy vendeve fqinje, kanë nisur tre vite më parë. Por ndërkohë që shteti shqiptar investoi për hapjen e rrugës që të çon në këtë pikëkalim të ri kufitar, pala maqedonase nga ana e saj e zvarriti ndërtimin e rrugës, duke bërë që ajo të përfundojë vetëm para pak ditëve. Pikërisht të hënën më 2 gusht, me rastin e përfundimit të rrugës, dhjetëra shtetas të Maqedonisë kanë kaluar simbolikisht në këtë pikëkalim të ri kufitar, i cili pritet të përurohet në muajin shtator. Sipas burimeve nga komuna e Trebishtit, mësohet se mes të ardhurve kanë qenë edhe zyrtarë të lartë të qeverisë maqedonase, të cilët janë pritur nga kryetari i kësaj komune, Fitim Balla. Gjatë drekës së shtruar me këtë rast është konfirmuar edhe njëherë hapja e shpejtë zyrtare e kësaj pike doganore e cila do shërbejë jo vetëm për kalimin e personave, por edhe të mallrave midis dy vendeve tona fqinje. Kështu ky vendkalim i ri kufitar do të jetë I dyti në zonën e Dibrës, pas atij ekzistues të Bllatës, në zonën e Maqellarës. Hapja së shpejti e kësaj pike padyshim që është një lajm i mirë për gjithë banorët e zonës së Gollobordës në rrethin e Bulqizës, pasi atyre nuk do t’u nevojiten më orë të tëra për t’u lidhur me Maqedoninë nëpërmjet doganës së Bllatës.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›