E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hollivud, divat e veshura me stil martesor



Ato kanë një jetë përrallore: shtëpi luksoze që u ngjasojnë kështjellave mbretërore, makina të teknologjisë më të fundit, e natyrisht nuk mund t’i privojnë vetes as luksin për t’u veshur si zonja mondane. Bëhet fjalë për imazhet perfekte të yjeve të kinemasë, të cilat kanë shfrytëzuar evenimentet më të rëndësishme për të qenë në qendër të vëmendjes. Fustane princeshash dhe perla e diamante për të shndritur si kurrë më parë. Duke përdorur mënyrën delikate të punës me material, teknika e fustaneve me stil martesor shndërrohet në punim të veçantë, për të krijuar një atmosferë të caktuar, e cila në këtë rast është si një ëndërr.
Personazhe të njohura të Hollividit kanë garuar jo thjesht për punën e tyre me filmat, por edhe për veshjen më të bukur dhe ai që dominoi këtë vit ishte stili i fustaneve martesore. Ndër aktoret e veshura më bukur u përzgjodhën: Sara Xhesika Parker, Sandra Bullok, Amanda Sifred, Kameron Diaz, Kristen Stjuart. Pothuajse të gjitha kishin zgjedhur fustane të gjatë me ngjyrë të çelët, me nuanca të kremit dhe të të florinjtës.

Mbrëmje shik

Pak kohë më parë u përmbyll një nga evenimentet më të rëndësishme dhe të gëzueshme të Los Anxhelesit: ndarja e çmimeve “Oscar”. Javë e javë të tëra të kaluara në pritje dhe ankth për fituesit e mundshëm dhe komente mbi filmat e përzgjedhur. Por, përtej mbrëmjes hollivudiane, Oscar-ët shihen edhe si një shtytje e mrekullueshme, pikërisht për fustanet me stil martesor.
Mbi të gjtha, në evenimentin e fundit janë parë në tapetin e kuq shumë fustane të denja për t’u veshur në altar. Nuk është e papritur, përkundrazi, shumë aktore kanë zgjedhur modelet e linjave të dasmave nga dizenjues të famshëm ndër të cilët përmenden: Cavalli, Dolce & Gabanna, Armani.
Personazhet

Modele fustanesh martesore të tilla si ato të Xhenifer Lopez dhe e mirënjohura Amanda Sifred u bënë objekt bisedash për ditë me radhë. Të dyja mbanin firmën e pazëvendësueshme, Armani. Edhe fustani i aktores Kameron Diaz në një “Oscar” rrëzëllues mund të ishte veshur pa asnjë modifikim në një ceremoni dasme në pasditen e vonshme. Më të ndjeshmet kanë qenë zgjedhjet e Ana Kendrik, asistentja e re e Xhorxh Klunit në “Up the Air” dhe e të shumëvlerësuarës Sandra Bullok: Eli Sab është firma që ajo mbante të veshur, me linja të sofistikuara dhe finesë që e bënte këtë fustan të ishte perfekt edhe për një ceremoni martesore. Një tjetër markë e fustanit që mbante të veshur Bullok është ai i stilit “Markessa”, që binte në sy si një sirenë deti. Ai ishte i realizuar me qëndisje të praruara ari dhe argjendi. Edhe pse me ndonjë modifikim shkëlqyes, fustanët e veshur nga Kristin Stjuart, heroina e “Tëilight” dhe Vera Farmiga, menaxherja intrigante e “Up in the Air” ,janë një shtytje e shkëlqyer për një fustan nusërie. Një vlerësim i veçantë do të shkonte për veshjen e aktores Sara Xhesika Parker, ikona e stilit amerikan, që u vlerësua si fustani më i mirë i ceremonisë “Oscar”. Fustani i saj që mbante firmën “Channel Couture” është pa dyshim një zgjedhje e karakterit martesor dhe me shumë hijeshi, mund të konsiderohet padyshim: i paharrueshëm.

24 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›