E Diel, 1 Nëntor 2026

Suela Konjari, aktorja e karaktereve



Një karrierë prej 20 vitesh dhe një nismë drejt aktrimit që në moshën të re kanë bërë që Suela Konjari të jetë një ndër aktoret më me fat në teatër. Pasioni për teatrin e ka ngacmuar Suelën që në vitet e para të rinisë së saj. Roli i saj i parë në skenën teatrore është me shfaqjen “Nata me hënë” e Isamil Kadares me regji të Edmond Budinës në vitin 1989 në rolin e Norës. Në të gjitha rolet e saj ajo është vlerësuar për atë çfarë ajo ka sjellë dhe ka interpretuar para publikut. Fillimet për të kanë qenë të mrekullueshme, pasi ka pasur fatin të punonte me artistë të merituar të kinemasë shqiptare si, Pirro Mani, Gëzim Kame e shumë artistë të skenës. Vlerat e saj si aktore janë gjithmonë në rritje dhe asnjëherë nuk humbasin, pasi ka marrë një mbivlerësim të suksesshëm në skenën teatrore, por dhe në kinematografi. Ajo ka një gamë të gjerë të roleve si në filma televizivë, ashtu dhe në teatër. Shfaqja e fundit në Teatrin Kombëtar, "Gjashtë personazhe kërkojnë autor” ka njohur jo vetëm një sukses të madh, por solli për publikun një dramaturgji të shekullit të njëzet, ku Suelës ju besua një rol me karakter negativ si Madam Paçes. Suela Konjari, aktorja që gjithmonë ka ditur të skalisë aq bukur rolet që i ka ofruar publikut, për “Albania Ëeekend” tregon për rolin, dashurinë e veçantë për teatrin, idetë dhe ëndrrat e saj, të cilat janë po aq befasuese sa edhe shpirti i saj i ndjeshëm prej artisteje. E ndërkohë familja për Suelën është gjithçka. “Për mua familja është shumë e shtrenjtë, është gjithçka. Familja për mua është më e rëndësishme se çdo gjë në botë. Është e barabartë me frymarrjen time”, - u shpreh ajo gjatë intervistës. Aktualisht ajo tregon se nuk ka ndonjë projekt në duar, pret me shumë emocion një bashkëpunim me regjisorin italian Giampero Borzha.
Së fundmi ju shfaqet publikut me një rol në kryeveprën e Pirandelos, si lindi bashkëpunimi me regjisorin Xhelili?
Ka vetëm pak ditë që është dhënë premiera e Pirandelos “Gjashtë personazhe kërkojnë autor’ me regji të Memet Xhelilit. Ky bashkëpunim ishte një eksperiencë me një nga shokët e mi të fakultetit edhe me partnerin e parë që kam pasur në fakultet. Eksperienca me Xhelilin ishte një ndër eksperiencat më të arrira ku kisha rol të vogël Madam Paçes por që është një rol mjaftë i rëndësishëm për veprën. Është si puna e mbretit që luhet nga ushtarët dhe për këtë flitet gjatë gjithë kohës. Këtë rol e pranova me shumë dëshirë sepse është një rol karakteri dhe kam punuar me pasion si rol. Më pëlqen si personazh edhe pse zë pak vend, por është një figurë që them se spikat.
Çfarë ishte roli Madam Paçes?
Madam Paçeja është një personazh negativ dhe unë jam përpjekur ta sjell për publikun një personazh jo të dashur por me veprime negative. Këtë personazh jam përpjekur që jo vetëm si karakter psikologjik ta ndërtoj të tillë dhe nga mënyra e të qeshurës e të veshurës, me një paruke që e vë mbi një kokë tullace. Shpresoj të kem bërë një gjë të mirë, sepse pak rëndësi ka për një aktor profesionist nëse është rol i madh apo rol i vogël. E rëndësishme është që të punosh me dashuri dhe ta bësh rolin.
Si i kujton Suela Konjari fillimet në rrugën e aktrimit në Teatër?
Edhe tani kam një emocion kur i kujtoj fillimet në teatër. Në të vërtetë rolin e parë e kam vënë në vitin 1989 me regjisorin Edmond Budina te “Nata me hënë” e Kadaresë në rolin e Norës. Kritika atëherë më vlerësoi goxha dhe ishte një fillim i mbarë. Emërimin e kam marrë në teatër në vitin 1992 dhe që atëherë nuk jam shkëputur. Një fat i mirë për mua ka qenë bashkëpunimi që kam pasur me regjisor shumë të mirë, kam bërë role karakteri, role që mua më pëlqejnë dhe kam pasur fatin si të një fëmije që pritet mbarë në jetë.
Aktrimi ka qenë një pasion apo ka qenë dikush që të ka shtyrë drejt kësaj rruge?
Në fakt aktrimi tek unë ka ardhur në një mënyrë krejt organike. Duke qenë se kemi pasur një baba që ka punuar gjithë jetën si balerinë në opera, në shtëpinë tonë argëtimi për ne ishte kur ne shkonim dhe shikonim shfaqjet e Teatrit të Operës. Skena me atë magjinë e vet më ndillte, me dukej një gjë që jo çdo kush mund ta kishte dhe thoja do kisha dëshirë ta prekja atë skenë, ta përjetoja atë emocion që të falte skena. Rruga drejt aktrimit ka ardhur në mënyrë krejt të qetë dhe e mbush vazhdimisht me dëshirën për të provuar atë skenë magjike.
Një karrierë e gjatë artistike si aktore ka pasur edhe të veçantat e veta. Ka ndonjë moment që tani e kujton me nostalgji?
Unë i vlerësoj të gjitha punët me të gjithë regjisorët që bëj. Kam punuar me regjisor dhe aktor shumë të talentuar dhe kjo më ka ndihmuar që të rritem profesionalisht por si pikë të veçantë do kujtoj punën me regjisorin rumun Mihail Manulesku për mua ka qenë një shkollë e vërtetë, e kujtoj me nostalgji punën me të. Tek komedia rumune “Oportunesko” ku unë kam pasur rolin e Mizës, ka qenë me të vërtetë një punë e shkëlqyer, një eksperiencë që nuk do ta harroj dhe më ka ngelur si shkollë puna me të.
Sa ka arritur gama e roleve tuaja gjatë këtyre 20 viteve si aktore e karaktereve?
Unë tashmë jam në atë brez të mesëm të aktorëve dhe kam goxha personazhe dhe, kam patur fatin që, si aktore karakteresh të kem gjithmonë role të veçanta. Fatin më të madh e kam patur se kam luajtur me aktorë të shkëlqyer për partnerë, siç është Roland Trebicka, Agim Qiriaqi, Fatos Sela, Yllka Mujo, Raimonda Bulku, Luiza Xhuvani. Kam patur shansin e madh që kam patur në krah edhe regjisorë të mëdhenj, ajkën e regjisorëve shqiptarë, të madhin Pirro Mani, i cili ka qenë profesori që më ka përgatitur për shkollë të lartë. Kam punuar me regjisorin Arben Kumbaro, Hervin Culin dhe me Gëzim Kamen, profesorin tim dhe me nje regjisor te madh rumun Mihail Manulesku. Jam një aktore që gjithmonë e kam dashur skenën, nuk jetoj dot pa përjetimin e emocioneve që të fal skena.
Je shfaqur publikut gjithmonë me role karakteresh, kanë qenë të rastësishme apo regjisorët kanë qenë ato që ti kanë ofruar?
Asnjëhëre rolet nuk vijn të rastësishme, regjisorët e studiojnë aktorin dhe i propozojnë rolin. Edhe unë vetë si aktore tashmë kam 20 vite punë dhe e kuptoj shumë mirë se kush është roli që mund të bëj Suela. Unë nuk jam aktore me komplekse, nuk kam problem rol i madh apo rol i vogël, mjafton të jetë rol dhe që ta sjell mirë në skenë. Duke e konsideruar veten si aktore të karaktereve më janë propozuar role të natyrës time brënda aftësive të mija aktroriale sepse po të më ofrohet roli i Zhulietës më me famë në botë nuk do ta kisha pranuar sepse nuk është në natyrën time.
Ka ndonjë peng brenda teje?
Të them të drejtën nuk është se kam ndonjë peng, siç nuk kam as pishmanllëqe. Jam aktore që kam punuar me Pirro Manin, Gëzim Kamen, kam punuar me aktor me emër kam qenë në krah të Robert Ndrenikës, Yllka Mujos, Luiza Xhuvanit dhe skam ndonjë peng. Sigurisht që aktori dëshiron që sa të jetë në skenë të bëj role dhe s’jam nga ato aktor që them kam ëndrra në sirtar. E vetmja gjë që doja ishte të realizoja një punë me një regjisor italian ku kam punuar për një periudhë disa mujore kam parë punë sesi puno ai me Giampero Borzha dhe do më pëlqente që të bëja një rol me të.
Si e shikojmë Suelën jashtë skene?
Në fakt jam natyrë altruiste. Bëj pjesë tek ato njerëz që i përjetojn momentet e mira dhe të këqija me shumë emocion. Gjithmonë jam e gatshme të ndihmoj të tjerët, loti më buron natyrshëm nga hallet dhe shqetësimet e të tjerëve.
Ka ndonjë passion të dytë për ju?
Përveç skenës së aktrimit mua më pëlqen shumë poezia. Në poezi shfaqem një Suelë ndryshe, e brishtë dhe shumë poetike sikurse është edhe poezia. E dua dhe më pëlqen shumë poezia.
Çfarë simbolizon publiku për ju si aktore e skenës?
Publiku është kyçi i sekretit për mua, të një spektakli, të një shfaqjeje, të një aktori sepse është faktori që të bën për të dhënë maksimumin tënd. Sigurisht një aktor profesionist edhe kur nuk e ka sallën të mbushur punon me shumë passion pasi ai rol që i ëhstë besuar ka shumë rëndësi për ta sjellë në mënyrën më të suksesshme. Megjithatë një sallë e mbushur plot të jep tjetër emocion.
Çfarë është skena e teatrit për ju?
Teatri është si një shtëpi për mua. Ka momente që njeriu ndjehet shumë komod në shtëpi por ka momente që nuk ndjehet komod për njëqind mijë arsye dhe ndonjëherë shtëpia nuk të duket shumë e ngrohtë. I kam kaluar të gjitha këto faza në teatër.
Kush janë momentet e mërzitjes për Suela Konjarin, dhe me kë i kaloni?
Unë si natyrë jam shumë e ndjeshme dhe si njeri i kaloj të gjitha temperaturat që kalon çdokush në jetë. Momentet e vështira unë i kaloj me miqtë e mi, kam miq të shkëlqyer që shpesh herë më kanë ndihmuar të përballoj edhe momentet më të vogla të mërzitjes që mund të kem pasur. I falënderoj shumë.
Çfarë është familja për ju?
Për mua familja është shumë e shtrenjtë, është gjithçka. Familja për mua është më e rëndësishme se çdo gjë në botë. Është e barabartë me frymarrjen time.
Kush është periudha më e bukur e karrierës tuaj?
Periudha më e bukur e jetës time është periudha e viteve 1990- 2000. kanë qenë vitet e para të karrierës por që kanë qenë vite të mbushura plot me role me atmosferë të shkëlqyer.
Po periudha më e vështirë?
Periudha më e vështira ka qenë e këtyre tre viteve të fundit për shkak se nuk kam qenë e angazhuar në teatër. Që akoma se di se për çfarë arsye. Shpesh herë pyes veten se pse nuk jam angazhuar dhe nuk gjej dot një përgjigje.
Kush janë projektet e këtij viti që do të shfaqin në skenë përsëri?
Nuk e di. Do pres se çfarë do më propozohet nga projekte e reja të teatrit dhe kam një ide që e thashë dhe më lart, dua të realizoj një projekt me regjisorin italian shpresoj që ta realizoj.

Kinematografi
2005 -- Trapi i vjetër 2 Trafiku i mishit të bardhë
1989 -- Lumi që nuk shteron.................................................Donika
1988 -- Flutura në kabinën time.............................................Eva
1986 -- Kur hapen dyert e jetës............................................Mira
1985 -- Në prag të jetës.......................................................Noterja
Teatër
"8 Persona Plus" e Ferdinand Radit........................................Flora
“Babai” e Ruzhdi Pulahës.....................................................Prostituta
“Familja shatrapatra”
“Harvey” e Mary Chase-it.....................................................Infermieria
“Hijet e natës” e Vedat Kokonës
“Jashtë bie borë” e Vinçenzo Salemit....................................Noterja
“Ne të gjithë këndonim Margaritën” e Bashkim Hoxhës............Vajza e Kryetarit të Bashkisë
“Pleshti në vesh” e Zhorzh Fejdos

24 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›