E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aprovohet projektligji për qasje në dokumente publike

Me qëllim që qytetarët të gëzojë të drejtën e qasjes në dokumente publike dhe të njihen me procesin e vendimmarrjes, Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për qasje në dokumente publike.

Në mbledhjen e radhës së ekzekutivit të enjten janë miratuar edhe propozim-vendimi për shpronësimin e pronave të paluajtshme në rrugën M9 nga Fushë Kosova deri në Arllat, rrugën M2 nga Prishtina deri në Mitrovicë dhe ngastrën 7497 sipas fletës poseduese nr. 6590 në zonën kadastrale në Prishtinë, projektligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, propozim-vendimi për deklarimin e dividendës nga PTK, si dhe pikat tjera të rendit të ditës.

Duke paraqitur projektligjin për qasje për dokumente publike, zëvendëskryeministri, Ramë Manaj ka theksuar se miratimi i këtij ligji mundëson praktika më efikase dhe më të mira administrative, si dhe u garantohen qytetarëve që institucionet të gëzojnë transparencë.

“Qëllimi i këtij ligji është që secilit qytetar do t’i mundësohet të gëzojë të drejtën e qasjes në dokumente publike dhe në këtë mënyrë të njihen me procesin e vendimmarrjes. Po ashtu, u garantohet qytetarëve që institucionet të gëzojnë transparencë dhe t’u japin më shumë llogari qytetarëve, të nxiten praktika më efikase e më të mira administrative. Kjo çështje është një kërkesë imediate në kuptimin e demokratizimit të shoqërisë sonë”, ka thënë Manaj.

Ministri i Transporti dhe Postë- Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ka iniciuar kërkesën për shpronësimin e pronave të paluajtshme në rrugën M9, rrugën M2 dhe ngastrën 7497 sipas fletës poseduese nr. 6590 në zonën kadastrale në Prishtinë, duke thënë se elaboratet e shpronësimit janë të kompletuara.

“Sot po iniciojmë kërkesën për shpronësimin e pronave të paluajtshme, e cila gjendet tek rrethrrotullimi i madh. Elaboratet e shpronësimit janë të kompletuara, po elaboratet e shpronësimit janë të kompletuara. Sipërfaqja që duhet të kompensohet në rrugën M 9 janë 31 hektarë e 71 ari e 24 metra, ndërsa rruga M2 ka 10 hektarë e 7 ari e 28 metra, derisa ngastra 7497 ka 16 ari”, ka thënë Limaj.

Duke prezantuar projektligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ministri i Drejtësisë, Haki Demolli ka pohuar se ky projektligj është rezultat i punës dhe përkushtimit të vazhdueshëm të ministrisë për kompletimin e infrastrukturës ligjore.

Sipas tij projektligji siguron një sistem të pavarur e funksional, si dhe qasje në drejtësi për të gjithë qytetarët. Demolli ka pohuar se reformimi i gjyqësisë është domosdoshmëri e kohës, e cila është edhe ndër sfidat e raportit të progresit të Komisionit Evropian për Kosovën.

“Reformim i gjyqësisë është domosdoshmëri e kohës, e cila është edhe ndër sfidat e raportit të progresit. Kjo i hap rrugën shtimit të efikasitetit në punën e gjyqësorit. Ky do të zëvendësojë dhe shfuqizojë legjislacionin e UNMIK-ut me të cilin është mbuluar kjo fushë deri më tani. Ky ligj nuk ka implikime shtesë buxhetore”, ka thënë Demolli.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala ka paraqitur një rekomandim shtesë, i cili i bëhet ART-së për mos dhënien e licencës ndonjë operatori tjetër në një periudhë 5-vjeçare.

“Duke respektuar pavarësinë e Agjencionit të ART-së ne rekomandojmë që ART të shqyrtojë mundësinë që në kuadër të kompetencave të veta mos të japë licencë të tretë ndonjë operatori tjetër në periudhën 5-vjeçare. Ky propozim është në frymën e propozimit të vlerës sa më të lartë të PTK-së. Janë analizuar të gjitha rrethanat. Kemi pasur diskutime edhe me ART-në dhe grupit ndërministror për privatizimin e PTK-së, dhe në parim kërkojmë dhe rekomandohet që ART-ja ta marrë parasysh këtë kërkesë të Qeverisë me qëllim të sigurimit të një vlere sa më të lartë në privatizimin e PTK-së. Kjo e rrit vlerës gjatë procesit të privatizimit”, ka thënë Shala.

Zëvendëskryeministri Manaj po ashtu ka parashtruar kërkesën që shoqatës së matematikanëve të rinj t’u mundësohet pjesëmarrje në olimpiadën e ardhshme në Amsterdam.

Ai propozoi që kërkesa në shumë prej 11 mijë eurosh të përkrahet nga MASHT- i me 3.500 euro, Ministria e Kulturës me 3.500 dhe zyra e kryeministrit me 4.000 euro.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi propozoi që Qeveria e Kosovës të marrë përsipër shpenzimet për shërim jashtë vendit për deputetin Ali Lajçi. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›