Arabia Saudite bojkoton bisedimet për Sirinë

Fuqitë rajonale janë takuar për të diskutuar krizën në Siri. I ashtuquajturi “grup i kontaktit” bashkon Turqinë, Arabinë Saudite, Egjiptin dhe Iranin.
Për arsye të panjohura, ministri i Jashtëm saudit, princi Saud al-Faisal, nuk ka ndjekur bisedimet në Kajro dhe nuk është dërguar askush për ta zëvendësuar.
Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Muhamed Kamel Amer, ka thënë se grupi i kontaktit ka vendosur të takohet sërish në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Ali Akbar Salehi, ka thënë se katër shtetet kanë një “rol të madh” për të luajtur në Siri.
Përfaqësuesi i Turqisë, ministri i Jashtëm, Ahmet Davutogllu, ka folur për nevojën e “pronësisë rajonale të çështjeve të rajonit”.
Turqia, Arabia Saudite dhe Egjipti kërkojnë largimin nga pushteti të presidentit sirian, Bashar al-Asad, por Irani e mbështet atë.
Fuqitë botërore nuk kanë ardhur ende te një marrëveshje për largimin e Asadit, regjimi i të cilit përballet me revoltën popullore që në mars të vitit të kaluar.