E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arbana Osmani - Tani do të jemi bashkë çdo pasdite

 

klotilda harka

Arbana Osmani, prezantuesja më e njohur në ekranin e “Top Channel” po përgatitet për një aventurë të re televizive. Ashtu siç është parë një reklamën që po transmetohet në këtë televizion, bëhet fjalë për një format krejt ndryshe nga ata që ajo ka prezantuar deri tani. Një emision që po përgatitet pa shumë bujë, por që do të jetë një nga risitë e sezonit të ri televiziv në “Top Channel” me titull “Pasdite në Top Channel”, dhe që do të sjellë histori, ngjarje, fenomene e njerëz të thjeshtë. Ndërsa ka nisur përgatitjet për formatin e ngjashëm me “Verissimo”, që transmetohet në Canalin 5, Arbana tregon se do të jetë një emision me probleme sociale, por shumë interesant. “Është një program që pretendon të sjellë histori të ndryshme, probleme sociale që të gjithë i kemi para syve, por që ndoshta nuk i vëmë re“. Do të jenë ndodhi, fenomene, fatkeqësi e mrekulli, kuriozitete, që do të sillen të trajtohen në një studio gjithë ngjyra e drita, nën drejtimin e Arbanës. “E konsideroj një eksperiencë ndryshe për mua, për faktin se në këtë rast do më duhet të bëj më shumë profesionin e gazetares, për të cilin jam diplomuar”, thotë Arbana.  Emisioni, që ka për kryredaktor, gazetarin Sokol Shameti, e që do të fillojë transmetimin shumë shpejt, do të jetë preokupimi i saj kryesor  për  momentin në televizion. Por pas marrjes përsipër të këtij formati të ri, a do të vazhdojë Arbana të prezantojë spektaklet e tjera me të cilat është identifikuar tashmë?! Ajo pohon se nuk do të prezantojë më spektaklin “Top Model of the Ëorls”, nuk do të rikthehet në programin “E diell”, ku kaloi një eksperiencë tre mujore përkrah Adi Krastës dhe Xhemi Shehut, por s’do të heqë dorë nga “reality show” që ajo e ka për zemër “Big Brother”, edicionin e tretë të së cilit do e prezantojë sërish ajo. Po ashtu do të vazhdojë të drejtojë emisionet radiofonike në “Top Albania Radio”. Para disa muajsh nisi emisionin e ri në radio, ku drejton së bashku me Adin, një nga finalistët e “Big Brother 2”. Arbana është një nga prezantueset që u qëndron larg mediave, sidomos tregohet shumë e kujdesshme për jetën private.

“Pasdite në Top Channel”,  u ideua nga Arjan Konomi

Po si lindi ideja për një emision të tillë, format shumë i njohur dhe që natyrisht pretendon të thithë audiencë të konsiderueshme për shkak të historive njerëzore, dhe problemeve sociale. Sipas burimeve tona, në fakt drejtuesit e “Top Channel”, pas përfundimit të “Big Brother 2” i kërkuan Arjan Konomit, analistit të spektaklit, të përgatiste një projekt të tillë, që të kishte interes. Projekti u dorëzua nga ai, por më vonë nuk mësuam përse ai u shmang nga ky projekt. Mbase angazhimet si drejtues i revistës “Shqip” apo hapja e restorantit “Vila 100” që menaxhohet prej tij, e ka bërë të pamundur një angazhim të përditshëm në televizion. Arjan Konomi, u bë i njohur për publikun gjatë tre muajve spektakël “Big Brother 2”, ku së bashku më Virusin nga Kosova, analizuan çdo javë karakteret dhe sjelljet e banorëve brenda shtëpisë së “reality show”. “Top Channel”, televizioni me një programacion të larmishëm, ende nuk e kishte një format të tillë emisioni ashtu si; Vizion Plus” me “Të kam zemër”, që drejtohet nga Rudina Magjistari”, apo “Më shumë dashuri” në “Tv Klan”, që drejtohet nga Alketa Vejsiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›