E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm gjerman Wadephul: Fokusi te shteti i së drejtës dhe lufta ndaj korrupsionit. Drejtësi e lirë, jashtë çdo lloj ndikimi

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë, deklaroi se vendi i tij mbetet një mbështetës i fortë i proceseve të integrimit europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, por theksoi se përparimi varet nga angazhimi dhe rezultatet konkrete të vetë shteteve kandidate.

“Jemi duke dhënë mbështetjen tonë, por në fund të procesit do të shihet nëse është bërë gjithçka që duhet të ishte bërë,” u shpreh Wadephul, duke nënvizuar se përparimi drejt BE-së kërkon përmbushjen e standardeve të qarta.

Ai theksoi rëndësinë e forcimit të shtetit ligjor, si edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, fusha ku sipas tij kërkohet përqendrim më i madh i punës.

“Përmenda shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar pasi në këto fusha ne kërkojmë një përqendrim të punës, por edhe fushat e tjera janë pjesë e punës si arritja e një nivelit i një ekonomie konkurruese. Nëse këto objektiva do arrihen secila prej vendeve të rajonit do të ketë një avokat në krah me Gjermaninë. Ne po japim mbështetjen tonë, por puna duhet bërë nga shtete kandidate”, u shpreh ministri.

Në deklaratën e tij, ai përmendi edhe takimin me drejtuesit e SPAK, duke e përshkruar si një bisedë thelbësore për ecurinë e drejtësisë në vend.

“Sistemi i drejtësisë duhet të jetë i lirë nga çdo lloj ndikimi. Ky ka qenë edhe thelbi i bisedës me SPAK. Shpreha vlerësimin tim. Kjo strukturë ka bërë një punë të madhe, por duhet të vijojë më tej,” theksoi Wadephul.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›