Konferenca e Kryetarëve, debati për “minimumin jetik” kalon në seancë plenare

Konferenca e Kryetarëve u mblodh sot në drejtimin e Kryetarit Niko Peleshi për të shqyrtuar kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Demokratike lidhur me zhvillimin e një mocioni me debat për çështjen e minimumit jetik.
Kërkesa e opozitës synon të adresojë mungesën e caktimit të minimumit jetik dhe hapat konkretë që duhet të ndërmarrë qeveria për miratimin e tij në Shqipëri.
Përpara diskutimit të mocionit, Kryetari Peleshi informoi anëtarët e Konferencës për depozitimin e ligjeve financiare, të cilat janë pjesë e projektbuxhetit të shtetit dhe do të diskutohen së bashku me Buxhetin e ri.
Megjithatë, lidhur me kërkesën e opozitës për mocionin me debat, palët në Konferencë nuk arritën të gjejnë mirëkuptim për mënyrën dhe zhvillimin e tij.
Si pasojë e mungesës së konsensusit, çështja e zhvillimit të mocionit për minimumin jetik do t’i kalojë për shqyrtim dhe vendimmarrje drejtpërdrejt Seancës Plenare, ku pritet të debatohet.
/rtsh.al/