Arben Imami: Alternativa e opozitës, bllokimi dhe gënjeshtra – na duhet modeli i Sali Berishës për Shqipërinë e zhvilluar katër vitet e ardhshme
Kryetari i grupit të punës të Partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit, takime me të rinjtë në Librazhd dhe Gjergjan
Pasditen e djeshme, Kryetari i Grupit të Punës për Qarkun e Elbasanit, Ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami zhvilloi një sërë takimesh. Ai u ndal me rininë në Librazhd dhe në Gjergjan.
Imami u shpreh se në këto 8 vite qeveria, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë rinisë sidomos në fushën e shkollimit e të arsimimit sepse faqja e infrastrukturës së arsimit, ka ndryshuar rrënjësisht në Shqipëri. Janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla anembanë vendit, por kemi akoma sfida përpara dhe modeli ynë i qeverisjes në këto 8 vjet ka qenë të punojmë, të bashkëpunojmë që ta çojmë Partinë Demokratike, qeverisjen e saj në një mandat të ri të gjithë së bashku, tha ai.
Dëshiroj të kujtoj vijoi Imami, se është 3-fishuar numri i studentëve në Shqipëri gjatë këtyre 8 viteve. Sot janë mbi 150 mijë studentë që studiojnë në universitetet e Shqipërisë, një shifër kjo, shumë e madhe.
Interneti para 8 viteve ka qenë vetëm 6% ndërkohë që sot ka arritur në 60%. Këto janë mundësitë që Partia Demokratike ka krijuar. T’i shfrytëzojmë këto mundësi për më shumë dije, për më shumë trajnime, për më shumë komunikim, për më shumë njohuri sepse vetëm kështu mund të bëhemi të aftë për tregun e punës.
“Ne kemi nisur një program të shkollave profesionale, të shkollave të mesme profesionale dhe tani do të vijojmë për ato të larta, jo universitare profesionale. Keni parë kur Edi Rama ka deklaruar se djem dhe vajza me fakultet e master punojnë kamarierë?! Ky nuk është sistemi që jep aq të drejta studimi sa janë edhe vëndet e punës në adminisratë shtetërore, ky është treg i lirë, ne kemi si detyrë si qeveri t’iu japim shanse që të shkolloheni sa më mirë, në tregun e punës kush është më i zoti do të ecë përpara. Ne do të bëjmë që shkollat e larta, jo universitare të japin profesione dhe të rrisin garancinë për ju, që nesër kur të dilni në tregun e punës duke pasur një profesion të mund të gjeni një vend pune. Në fakt i gjithë programi i qeverisë sonë për mandatin e ardhshëm është i mbështetur tek ideja e zgjerimit të vendeve të punës. Gjatë vitit të kaluar i gjithë kontinenti europian ka qenë në krizë. Nga të paktët vende që kanë mundur t’i shmangen është Shqipëria. Sipas institucioneve autoritare të Bashkimit Europian në vitin e kaluar Shqipëria pati një rritje prej 1.7%. Por ndërkohë që ne kemi këtë rritje vendet fqinje janë me minus. Shqipëria me Islandën dallohen se në mesin e krizës patën zhvillim pozitiv, sepse pati vende të reja pune duke përfshirë këtu dhe rritjen në bujqësi me 6% dhe atë në industri me 8%. Në Shqipërinë e sotme, theksoi Imami, asgjë nuk është e pamundur, ka djem të vegjël, shumë të rinj në moshë të cilët paguhen nëpërmjet internetit sepse paguhen nga “google” dhe këtë ashtu siç e bën një djalë nga Paskuqani apo Kombinati në Tiranë mund ta bëjë edhe një djalë nga Librazhdi apo nga Elbasani, sepse tashmë interneti nuk është një problem. Të mos harrojmë, tha ndër të tjera Imami, se për të rinjtë, liberalizimi i vizave ka qenë një ngjarje e madhe që i jep mundësi rinisë jo vetëm të afrohet me tregun europian të punës por edhe të afrohet me shkollat dhe universitetet më të mira. Sigurisht gjatë rrugës sonë qeverisëse theksoi ai, ne kemi hasur pengesa të shumta siç ishte politika e bllokimit sepse partia socialiste e ka bllokuar në mënyrë të qëllimshme integrimin e vendit pasi në momentin që do të merrnim statusin e vëndit kandidat mundësia për tu arsimuar jashtë është edhe më e madhe e kjo duke nisur që nga taksat në Universitetet ndërkombëtare të cilat janë shumë më të vogla se sa kur nuk je anëtar apo vend kandidat i Bashkimit Europian. Nëse sot do të ishim anëtarë të BE do të kishim një fond 22 euro për banorë dhe nëqoftëse do t’i llogarisim për 3 milionë banorë që ka Shqipëria janë 66 milionë për 4 vite janë 266 milionë euro të mundshme që do kishin sjellë më shumë investime në arsim, në kapitalin njerëzor, në trajnime, në rrugë etj.
Pas pak javësh cilësoi Imami, do të fillojnë punimet në Kaskadën e Devollit, do të fillojë TAP-i, do të vijojë rruga Tiranë-Elbasan e cila pa dyshim që për Librazhdin është e jashtëzakonshme.
Kjo rrugë do jetë rruga më e mirë në Shqipëri e me parametrat më të mirë. Një rrugë e cila do t’ju jap mundësinë që për një orë të jeni në Tiranë e do të afrojë një treg shumë të madh pune. Brenda pak ditësh do të fillojë edhe ndërtimi i rrugës Qukës-Qafë Plloç që do të shtojë fluksin e transportit në këtë zonë.
Ky model që ofron opozita përfundoi Imami, është modeli i bllokimit, i gënjeshtrës, ireal, i pavërtetë, modeli që nuk interesohet për njerëzit sepse nuk i dhëmb e nuk punon për njerëzit. Ndërkohë kemi një model tjetër, i cili është i qëndrueshëm, modeli i Partisë Demokratike, modeli i kryeministrit Berisha që jep siguri, stabilitet, të ardhme, zhvillim.
Ta kthejmë Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme në një vend të zhvilluar duke mbyllur të gjithë infrastrukturën e Shqipërisë. Të rrisim vendet e punës për një jetë më të mirë për shqiptarët duke ecur përpara sëbashku për ta ndryshuar Shqipërinë edhe më shumë, sepse ne dhe vetëm ne mund ta bëjmë ndryshimin. Ky ndryshim ka nisur dhe duhet të ecë përpara. Përpara!”- përfundoi ai.