E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisin punimet për xhaminë e re të kryeqytetit. Berisha: Detyrim për rivendosjen e të drejtës së mohuar në dy dekada. Basha: Keqardhje për kohën e humbur, mbajtëm premtimin

20-04-2013 / Gazeta 55

Tirana do të ketë tashmë xhaminë e saj të madhe. Përpjekjet e disa dekadave me radhë të besimtarëve mysliman u kurorëzuan pikërisht në një ditë të shenjtë, në përvjetorin e lindjes së profetit Muhamed. Në një ceremoni tejet të veçantë, ku merrnin pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare nga Kosova e Maqedonia, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, kreu i komunitetit mysliman, Haxhi Selim Muça, kryeministri Sali Berisha si dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha firmosën dokumentin themeltar për inaugurimin e fillimit të xhamisë së re të Tiranës.



“Namazgjaja, ku ne jemi sot është shprehje e shpirtit të madh e bujar dhe e sakrificës të atyre besimtarëve myslimanë, që dhanë për fenë dhe popullin, përkushtimin, pasurinë dhe gjithçka. E lus Zotin të na lehtësojë punën tonë në gjithë proceset e ndërtimit të Xhamisë së Madhe”.



Për kryeministrin Berisha xhamia e re e Tiranës, e cila do të ndërtohet në sheshin pranë Namazgjasë është rivendosje e së drejtës së mohuar për besimtarët myslimanë në afro dy dekada. “Sot ndahemi nga qëndrime paragjykuese, nga qëndrime të inspiruar kryekëput nga ateizmi dhe ideologjitë e tij, të cilat penguan për 20 vjet ndërtimin e kësaj xhamie, kaq shumë të domosdoshme për besimtarët myslimanë të qytetit të Tiranës, por edhe si një detyrim i madh për të rivendosur të drejtat e shkelmuara, në vendin që meritojnë”- tha ai. 



Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha e cilësoi ndërtimin e xhamisë së madhe një premtim të mbajtur dhe kompletim të mozaikut të kulteve fetare në kryeqytet. “Ndiej keqardhje për kohën e gjatë që kemi humbur, dëshmitarë për vëllezërit e shumtë që falen rrugëve të Tiranës, vetëm se ne na kishte munguar besimi, vullneti dhe dashuria për ta ndërtuar këtë vepër. Ditën e shënuar të ditëlindjes së profetit Muhamed shpreh kënaqësinë time për nisjen e ndërtimit të kësaj vepre madhore duke kompletuar mozaikun objekteve të kultit, dhe duke shënuar një premtim tjetër të mbajtur para njëri tjetrit dhe para Zotit të madh”.



Besimtarët myslimanë janë ata të cilët përjetojnë dy gëzime në një ditë, teksa shohin të përmbushur një nga ëndrrat e tyre më të mëdha.



Xhamia e madhe e Tiranës do të ndërtohet në lulishten pranë Parlamentit, në vendin e quajtur “Namazgjaja”. Ajo është projektuar nga studioja e mirënjohur turke “Hassa” e arkitekt Muharrem Senalp, mjaft i njohur në fushën e ndërtimit të xhamive.



Xhamia do të jetë objekti më i madh i kultit mysliman jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. 



Kostoja për ndërtimin e saj arrin në 10 milionë euro dhe është financim i Qeverisë së Kuvajtit dhe asaj turke.



Qendra më e madhe islamike do të shtrihet në një sipërfaqe prej 5 mijë metra. Ajo do të jetë në formë kubeje me katër minare, ku lartësia e secilës prej tyre do të jetë 50 metër, ndërsa kupola, është parashikuar nga arkitektët të jetë 30 metër e lartë.



Sipas projektit të ideuar nga arkitekti turk Senalp, në xhaminë e Namazgjasë do të kryejnë ritet fetare njëkohësisht 5 mijë besimtarë myslimanë.



Objekti i kultit nuk do të ketë vetëm funksionin e një xhamie, ku krahas sallës së faljes



do të ketë edhe ambiente të tjera, ku mendohet që të jenë edhe dy kate nën tokë për parkim, si dhe ambiente për aktivitete të tjera të natyrës kulturore dhe fetare.



Xhamia duket sikur është e vendosur mbi një qilim, pasi në katin e parë, me një sipërfaqe prej 3500 metrash katrorë, është projektuar qendra kulturore, ndërsa sipërfaqja e xhamisë është 2500 metra katrorë. Qendra kulturore, në përbërjen e saj do të ketë sallë konferencash, bibliotekë, muze, por edhe klasa për mësimdhënie.



Nga ana vizuale ajo ndryshe nga projekti i studios BIG që pasqyronte elemente të forta të modernes, është më klasike dhe pasqyron vlera historike të objekteve të tjera të kultit të fesë islame që janë në vendin tonë. Në të do të ketë ndërthurje stilesh, ku do të bëhen bashkë orientalja me modernen dhe tradicionalen shqiptare.



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›