E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rama po përdor KQZ-në si objekt bllokimi, zgjedhjet nuk shtyhen asnjë ditë

TIRANE - Kryeministri Berisha mblodhi mbrëmjen e sotme Kryesinë e Partisë Demokratike. Në fokus të mbledhjes ishin bisedimet për konkretizimin e koalicionit parazgjedhor të partive të djathta dhe të qendrës.

Shefi i qeverisë iu rikthye sërish çështjes së KQZ-së, duke e cilësuar të ligjshëm zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në institucionin kryesor të administrimit të zgjedhjeve. Kryeministri Berisha akuzoi kryetarin e opozitës. Edi Rama. se po përdor KQZ-në si objekt bllokimi.

“Më duhet t’ju them se koncepti i zotit Rama se meqenëse një parti e koalicionit qeveritar kalon në anën e opozitës, mendimi i tij se tani është edhe opozitë edhe qeveri, është thjesht marrëzi. Kushtetuta e vendit e ka te përcaktuar kush është qeveri dhe kush është opozitë. Në të gjitha ligjet e vendit balanca e institucioneve të zgjedhjeve është balancë midis qeverisë dhe opozitës.”- u shpreh kryeministri. 

Për kryeministrin Berisha, reagimet e ashpra të opozitës, pas votimit në Kuvend për zëvendësimin e Muhos, ishin qesharake. Ndërsa theksoi se nuk ka asnjë mundësi që zgjedhjet e qershorit të shtyhen, kryeministri nënvizoi vendosmërinë e qeverisë së tij për të garantuar zgjedhje të lira, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“A kishte gjë më qesharake të dalësh jashtë kontrollit se po të marrin anëtarin e KQZ-së. Ajo që patë në parlament, ajo që patë rreth shtëpisë së Islamit është antikultura e liderit të opozitës. Vazhdojmë me kërkesën të shtyhen zgjedhjet, asnjë dite të vetme, mori përgjigjen përfundimtare. Çfarë tha dje, nëse humbas zgjedhjet nuk do njoh rezultatin se nuk kam mandatin e komisionit aty. Ky prap po kërkon skuzën që zgjedhjet i fitova por mi vodhën. Ky njeri vuan nga sindromi obsesiv i kleptomanisë. Ky çdo gjë i duket vjedhje, s’është faji im, është problemi i tij. Eshtë i nervozuar shumë, por ato janë punë të tij. Ne garantojmë zgjedhje të lira e të ndershme.”- u shpreh Berisha. 

Në përfundim të mbledhjes Kryesia e PD-së vendosi që grupi negociator për formimin e koalicionit zgjedhor, do të kryesohet nga kryetari i Partisë Demokratike, kryeministri Berisha dhe do të përbëhet nga Ridvan Bode dhe Oerd Bylykbashi.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›