Arben Kasolli, një trajner shqiptar në Akademinë e Johan Krujfit
Në nëntor të vitit 2003, legjenda më e madhe futbollit “portokalli” dhe një prej lojtarëve më të mirë të gjitha kohërave në botë, Johan Krujf, përuroi akademinë “Cruyff Court”. Me këtë projekt, nënkampioni i botës në Gjermani 1974 dhe ish-trajneri epokal i Barcelonës, dëshironte të nxiste akoma më shumë djemtë e rinj holandezë, të cilët kishin ëndërr futbollin dhe famën.
Në tërë Holandën brenda tre vjetësh u ngritën 100 akademi futbolli të cilat i përkasin “Cruyff Fondation”. Më 16 prill 2008 do të jetë edhe dita e madhe në finales në Amsterdam, ku do të kulmojë aktiviteti ku marrin pjesë 3200 fëmijë nga 400 ekipe moshash.
Pikërisht, një prej tyre ka fatin të punojë si trajner i portierëve, një shqiptar. Ky është Arben Kasolli, i vetmi trajner i huaj portierësh në Holandë, i cili nga duart e tij ka nxjerrë dy portierë të një niveli të lartë, të cilët sot janë pjesë e skuadrave të Ajaksit dhe AZ Alkmaar.
Tiranasi, tashmë 41-vjeçar, debutoi për herë të parë 18-vjeç në Kategorinë e Parë me Naftëtarin (në vitet e arta të tij). Kasolli është një produkt i portierit Bashkim Muhedini, i cili mbrojti portën e Partizanit dhe Kombëtares. Kur Kasolli morri një ftesë për të veshur fanellën e “17 Nëntorit” në vitin 1989, nuk qëndroi shumë te Tirana e sotme. Hapja e kufijve e “transferon” në Greqi, ku filloi edhe stërvitjen me Janinën, ekip me të cilin është aktivizuar edhe Foto Strakosha.
Martesa me një holandeze në korrik të vitit 1992 e “transferon” në Holandë ku nis dhe stërvitjen me trajnerin e portierëve të Ajaksit, Frans Hoek, i famshëm në botë për metodën e tij, të pranuar zyrtarisht edhe nga FIFA e UEFA si një ndër më të mirat. Një emër i madh i futbollit holandez si trajneri Luis van Gal, i jep këshilla të vlefshme shqiptarit, i cili u bë befasisht portieri i tretë e “harkëtarëve” pas Menzo e Van der Sarit. HFC Haarlem, një klub satelit i Ajalsit, kërkoi shërbimet e Kasollit, i cili më pas u aktivizua te AZ Alkmaar, Fortuna Sittard e NEC Nijmegen.
Si një shqiptar entuziast i ngjizur edhe me shpirtin praktik perëndimor Kasolli hapi shkollën e portierëve në Almere-Prokeeper Training, për t’u thirrur për të qenë më pas trajner i portierëve të Kombëtares Holandeze së 17-18 vjeçarevë, trajner i portierëve të FC Omniworld, e më pas edhe zbulues talentesh në shërbim të Ajaksit dhe një prej trajnerëve më të njohur në Holandë për portierët. Nga shtatori i vitit të kaluar impulsivi Kasolli nisi punë te “Johan Cruijff foundation”, por edhe për akademinë Klarens Sedorfit e Richard Kraichek.
8 Prill 2008