Athina, e gatshme për fillimin e bisedimeve për emrin e Maqedonisë
Athina e ka konsideruar çështjen e emrit të Maqedonisë “esenciale për stabilitetin e rajonit”. Ministria e Jashtme greke, Dora Bakojanis, i ka drejtuar një apel Uashingtonit që të influencojë mbi Shkupin për frenimin e reagimeve emocionale.
Athina filtron si sinjale pozitive uljen e toneve së fundi në Shkup në një kohë që vetoja përkrahet nga pjesa dërrmuese e opinionit grek si fitore e diplomacisë greke. Në këto kushte Athina është shprehur e gatshme për rifillimin e bisedimeve duke vlerësuar pozitivisht dy gjëra: Së pari, informacionin se ndërmjetësi ndërkombëtar Nimetc mund të dalë me një propozim të ri që Athina duket se do ta pranojë, pasi jo rastësisht vetë Karamanlis flet për emërtim unik në vend të atij gjeografik. E dyta, vizitën të mërkurën në Athinë të ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Mat Braiza, që do të shënojë dhe rivendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta greko-amerikane të ndërprera që në prag të Samitit të Bukureshtit me bisedën "episodike" telefonike Bakojanis-Rajs. “Ajo që duam ne është që të vazhdojnë bisedimet”, - tha ministria e Jashtme Bakojanis, duke kërkuar nga Uashingtoni të ndërmarrë iniciativë dhe të frenojë reagimet emocionale në Shkup, deri diku të kuptueshme”. Athina shikon si më realiste edhe një iniciativë nga Presidenca franceze e Bashkimit Europian, e cila do të dojë të evitojë me çdo kusht një veto të dytë të Greqisë. Diplomacia franceze vlerësohet si më fleksibile nga ajo amerikane.
Busek: “Pavarësia e Kosovës, stabilitet për Ballkanin”
Ish-koordinatori i Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, ka vlerësuar se Pavarësia e Kosovës po sjell stabilitet në Ballkan. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një ligjërate që mbajti në Shkollën për integrime europiane në Prishtinë. “Zgjidhja e statusit të Kosovës ka krijuar stabilitet në Ballkan, duke hapur në këtë formë rrugën drejt integrimit europian të të gjithë rajonit”, - është shprehur Busek. Sipas tij, mungesa e stabilitetit në Veri të Kosovës krijon vështirësi për rajonin dhe Europën në përgjithësi. Ai shprehu besimin se hap pas hapi do të arrihet deri te një zgjidhje, por u bëri thirrje serbëve që ta pranojnë realitetin e ri në Kosovë.
8 Prill 2008