E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gardianët” shqiptarë në Europë, nga Beqaj te Bregasi



Dash Frashëri

Arjan Beqaj, portieri i kombëtares shqiptare dhe skuadrës qipriote Anorthosis Famagusta, nuk është i vetmi që luan në Europë. Dy gardianët e tjerë të katërkëndëshit kuqezi, Isli Hidi e Ilion Lika, aktivizohen respektivisht në Ukrainë dhe Rusi. Më parë, portën e ekipeve të ndryshme europiane e kanë mbrojtur edhe Foto Strakosha (me disa ekipe në Greqi), Perlat Musta e Ilir Bozhiqi në Rumani, Lulian Gjeloshi në Angli (Hendon FC) apo edhe Arben Kasolli me disa skuadra në Greqi e Holandë, teksa arriti të ishte edhe portieri i tretë i Ajaksit të madh dhe tashmë në rolin e një trajneri portierësh në fondacionin e Johan Krujfit dhe Klarens Sedorfit. Por, “gardianë” të tjerë shqiptarë e kosovarë janë duke u rritur në kontinent, ku mezi presin të bëjnë xhiron tradicionale mediatike. “Albania” po prezanton një panoramë të shpejtë të gjithë emrave në qarkullim.
UKRAINË - 23-herë kampionia e Shqipërisë, Tirana, e ka ndjerë jo pak largimin e Isli Hidit gjatë këtij sezoni shumë problematik për bardheblutë. 27-vjeçari pas 9 sezoneve me Tiranën dhe një sezoni i huazuar me Bylin, është pjesë e skuadrës ukrainase Krivbas Kirog. Në këtë ekip, ku 1/3 e formacionit titullar është shqiptar (luajnë edhe Ndreka, Bulku e Bylykbashi), portieri i Kombëtares shqiptare (2 ndeshje) vlerësohet për aftësitë e tij.
RUSI – Mbrojtësi shkodran Elvin Beqiri, një “ukrainas” tipik (6 sezone të luajtura në atdheun e Shevçenkos), përveç përvojës në Izrael me Makabi Tel Aviv shijoi edhe një eksperiencë me një skuadër ruse, Alania Vladikavkaz. Ndërsa 27-vjeçari Beqiri, tashmë është pjesë e historisë së statistikave të futbollit rus, një tjetër shqiptar po luan në Premierligën e vendit ku do të zhvillohet finalja e Ligës së Kampioneve. Ish-portieri i Dinamos, Ilion Lika, ka fituar vendin e titullarit te skuadra çeçene Terek Grozni në kampionatin rus. Lika, i larguar me “dhunë” nga Dinamo, u aktivizua te Elbasani përpara se të shijojë eksperiencën e tij të parë ndërkombëtare, që çuditërisht është një ekip nga Çeçenia. Shuma e 500 mijë dollarëve për dy sezone ishte një faktor thelbësor.
QIPRO - Arjan Beqaj, portieri aktual i Kombëtares, mbrojti portën e Partizanit, përpara se të mbronte për 6 sezone kuadratin e Ofit të Kretës (nga sezoni 1997-1998 deri 2002-2003) dhe 3 sezone atë Ionikosit (2003-2004 deri më 2005-2006). Kosovari 31-vjeçar (i cili vendosi edhe një rekord shqiptar, me prej dy sezonesh luan në Qipro me Anorthosis Famagusta, ku vendosi edhe një rekord personal me 540 minuta pa pësuar gol.
ITALI- Në një prej kampionateve më të fortë në Botë, kombi shqiptar nuk përfaqësohet vetëm me lojtarë të spikatur si Igli Tare (Lacio), Valon Behrami (Lacio) e Erion Bogdani (Livorno), por edhe më të rinj plot ambicie. Sulmuesi Edgar Çani, i konsideruar si “Bobo Vieri i ri” ende nuk e ka bërë debutimin e tij në Serinë A, por te Palermo po fiton maturi një prej portierëve të Kombëtares U-21, Samir Ujkani. Përpara se të firmoste një kontratë 5-vjeçare me skuadrën siçiliane, Ujkani ka dalë kampion me skuadrën e U-19 të Anderlehtit në Belgjikë.
Kur Shqipëria U-17 luajti vitin e kaluar në eliminatoret e para në grup të një Kampionati Europian për këtë moshë, trajneri Shpëtim Duro u paraqit në portë me dy lojtarë që aktivizohen në Itali. Xhino Sejdon e Venecias U-17 dhe Deljan Bregasin e Sampdories U-17. Te Sampdoria, portieri 16-vjeçar Deljan Bregasi (194 cm) konsiderohet si një nga shpresat skuadrës gjenoveze, që pret shumë nga investimi i përditshëm ndaj shqiptarit. Bregasi, i cili është edhe nënkampion i Italisë për U-17, ka fituar një përvojë të çmuar falë edhe aktivizimeve të rregullta në turnetë ndërkombëtarë. Si Ujkani ashtu dhe Bregasi kanë një ëndërr të përbashkët: të veshin fanellën e kombëtares shqiptare. Por, nëse Ujkani është më afër një vendi në treshen e portiereve kur të largohet Arjan Beqaj, Bregasi duhet të kalojë patjetër nga stacioni “U-21”.
GREQI – Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare (rekord për numrin e ndeshjeve, 73), portieri Foto Strakosha, është një nga emrat më të famshëm shqiptare në katërkëndëshin e një skuadre greke ku militoi që nga sezoni 1991-1992 e për ta mbyllur në sezonin 2004-2005: Janina, Ethnikos Asteras, Olimpiakos, Panionos, Ionikos dhe Kalithea janë fanellat më të cilat ka luajtur ish-lojtari i Dinamos, tashmë në rolin e trajnerit të portierëve te kampionët e Qipros, Apoel. Te Iraklisi i Selanikut po rritet një tjetër portier me të ardhme. Ky është Enea Koliqi, një nga pesë lojtarët e kësaj skuadre që vesh një fanellë kombëtareje. 22-vjeçari mbrojti me sukses portën e Shpresave të Artan Bushatit dhe aftësitë e tij janë të dukshme. Koliqi ishte një ndër të thirrurit e trajnerit të Kombëtares shqiptare, Ari Han në grumbullimin e Antalias. Bruno Guri është portieri i parë i të rinjve të skuadrës greke Ionikos ku aktivizohet prej tre sezonesh me Ionikos. Guri (184 cm) është stërvitur së bashku me portierin e Kombëtares shqiptare, Arjan Beqaj, tashmë në radhët e qipriotëve të Anorthosis Famagusta.
AUSTRI- Mbrojtësi Ronald Gërcaliu, mesfushorët Emin Sulimani e Besian Idrizaj, si dhe sulmusi Hamdi Salihi janë në qendër të medias austriake falë performancave të tyre. Por, “armatës” shqiptare në atdheun e Johan Prohaskës, i shtohet edhe një portier, Besart Barjaktari. 26-vjeçari kosovar (1.87 cm), dy herë kampion me Kosovën dhe i thirrur në vitin 2002 me Kombëtaren shqiptare, mbron portën e SV Weiz, një skuadër e kategorisë së dytë austriake.

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›