E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Artistët romanë mes dy luftërave” vinë në GKA



Ekspozita e radhës në Galerinë Kombëtare të Arteve në kryeqytet vjen nën logon: “Shkolla Romane - Artistët në Romë midis dy luftërave”. Ekspozita që do të çelet më 11 prill do të qëndrojë në GKA deri më 7 maj. Ky aktivitet vjen si një tjetër bashkëpunim i Institutit Italian të Kulturës në Tianë me shoqatën “Miqtë e Vilës Strohl Fern të Romës”. Ekspozita në fjalë promovohet nga Ministria e Punëve të Jashtme Italiane. Ajo paraqet një udhëtim imagjinar në jetën artistike e kulturore të kryeqytetit të vendit fqinj, Romës. Siç bëjnë të ditur organizatorët për gazetën “Albania”, ekspozita mbi shkollën romane “Artistët në Romë midis dy luftërave”, do të sjellë për publikun artdashës shqiptar e të huaj në Galerinë Kombëtare të Arteve, rreth 40 vepra me rëndësi në konceptin dhe realizimin e tyre artistik, por edhe në sfondin historik të zhvillimeve të shkollës romane. Bëhet fjalë për piktura, skulptura, vizatime dhe një bërrthamë origjinale dokumentash si kataloge, libra, letra, fotografi e revista, të cilat janë marrë nga familjet e artistëve dhe nga institucionet artistike e kulturore të qytetit të Romës. Përsa i përket itenerarit të kësaj ekspozite të veçantë, ai vjen i ndarë në tre seksione: Artistët dhe studimi që përmbledhin autoportrete, portrete të artistëve e mbështetës të tyre e ndonjë peisazh (sintomatika e metodave tregon procesin ideor të ndjekur nga artisti). Qyteti i Shpirtit, titulli i të cilit është marrë nga përmbledhja me poezi lirike, me të njëjtin titull të autorit Giorgio Vigolos (1923), kërkon të na japë mënyrën personale të artistëve për të perceptuar qytetin e Romës, mbushur me histori e mite antike të shkëlqyer, por edhe me mënyrën e të jetuarit të përditshëm. Në këtë seksion ndjekin njëra-tjetrën pamje nga vendet e përzgjedhura të artisteve, që paraqesin vizionin e një Rome monumentale, pjesë të një peisazhi Tiberino. Seksioni i fundit, trupa që kanë formë, nuk i dedikohet vetëm “trupit”, një tematikë shumë e ndjerë në Romën katolike, por i dedikohet edhe asaj prirjeje natyrale të treguar nga artistët për t’i mbështjellë subjektet e veprave të tyre në një atmosferë “shtangieje rrezëllitëse”, dhe këtë referim estetik e gjejmë te piktura katërqind vjeçare e autorit Piero della Francesca. Kalohet kështu nga sensualiteti i egër i një “Nuda” di Scipione, në dimensionin soditës e klasik të një nudoje femërore të Francesco Trobadorit, deri në vështrimin e mahnitur të një vajze që zhbiron gurët e rreshtuar mbi një tavolinë në një pikturë vaji të Fausto Pirandellos, metafora e njeriut që kërkon një mundësi identifikimi, ose më mirë, një “pjesë” për të recituar në skenën e komedisë njerëzore. Pas Tianës, ekspozita “Shkolla Romane - Artistët në Romë midis dy luftërave” do të udhëtojë për në Beograd ku do të qëndrojë e çelur nga 17 maji deri më 17 qershor. Më tej, në datën 1 korrik deri më 20 gusht, ajo do të cellet në Fiume në Galerinë e Artit Modern të Fiumes për ta mbyllur rrugëtimin e saj në Muzeun Kombëtar të Arteve të Rumanisë në Bukuresht nga 15 shtatori, deri më 15 tetor 2008.
P.GROSI

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›