E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, nënshkruhet Kushtetuta nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare

Kryeministri Thaçi: “Kjo është vula e shtetit të Kosovës”. Kushtetuta do të miratohet në Parlament dhe hyn në fuqi më 15 qershor

Që nga dita e djeshme Kosova ka Kushtetutën e saj. Ajo u nënshkrua zyrtarisht pas certifikimit nga ana e krerëve të institucioneve vendore dhe përfaqësuesve të lartë të Misionit të Bashkimit Europian. Dokumenti i firmosur në një ceremoni simbolike në Kuvendin e Kosovës, njeh shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Njëherësh ky konsiderohet dokumenti më i rëndësishëm për procesin e plotësimit të të gjitha hapave që vijnë pas shpalljes së pavarësisë. Nënshkrimi i Kushtetutës është përshëndetur nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili është shprehur se dokumenti i ri përbën vulën e shtetit të Kosovës. ”Kushtetuta është shpresa jonë për një të ardhme më të mirë. Kemi sakrifikuar gjatë për këtë ditë. Kjo është vula e shtetit të Kosovës, pasi kemi bërë përpjekje të mëdha për shtetin tonë dhe kjo Kushtetutë është dinjiteti ynë”, - u shpreh kryeministri Thaçi duke vënë në dukje besimin që ka te shoqëria demokratike e Kosovës, e cila do ta respektojë atë. Me këtë rast Thaçi drejtoi edhe një fjalim për vendet që tashmë e kanë njohur Kosovën shtet dhe ka theksuar se me Kushtetutën Kosova afrohet edhe më shumë me integrimin në................
Nga ana e tij, kryetari i Komisionit hartues të Kushtetutës, Hajredin Kuçi, në fjalën që mbajti theksoi rëndësinë e dokumentit dhe u shpreh se ky është një projekt madhor i realizuar nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Ai tha se me këtë akt çmohet lufta për liri dhe paqja për të ndërtuar të ardhmen. “Qëllimi i Kushtetutës së Kosovës është fisnik, pra më shumë se juridik dhe politik”, - u shpreh Kuçi. Kushtetuta e nënshkruar do t’i dërgohet Parlamentit të Kosovës për miratim, ndërsa pritet të hyjë në fuqi më 15 qershor. Kosova, gjatë ditëve të ardhshme, pritet të njihet edhe nga vende të tjera si Mali i Zi dhe Maqedonia, të cilat ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, kanë hezituar të njohin shtetin e ri. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Thaçi. “Kosova po punon në axhendën e saj shtetërore me përfaqësuesit ndërkombëtarë. Ne do të ndërtojmë fqinjësi të mirë me Maqedoninë, e cila ka vendosur ta njohë Kosovën. Kjo pritet të bëhet publike gjatë ditëve në vijim”, - tha Thaçi në Prizren. Sipas agjencisë së lajmeve serbe B92, Thaçi shtoi se Kosova do t’i zhvillojë më tej marrëdhëniet e fqinjësisë duke përmendur kështu Shqipërinë dhe Malin e Zi. Mes të tjerash kryeministri Thaçi deklaroi se qeveria e Kosovës do të punojë për të mirën e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe serbët. I pyetur nga mediat rreth marrëdhënieve me Beogradin, Thaçi tha se marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë si të dy shteteve të pavarura dhe se ai pret përmirësimin e tyre. “Ka një ndryshim midis serbëve dhe banorëve serbë që jetojnë në Kosovë dhe janë pjesë e qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës. Ne do të punojmë për ta, për të mirën e shtetit dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, - u shpreh Thaçi.

Demarkacioni i kufirit Kosovë-Maqedoni, takimi i radhës më 14-15 prill
Takimi i radhës për përcaktimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë do të zhvillohet në datat 14 dhe 15 prill. Lajmi u konfirmua për gazetën “Koha ditore” nga anëtari i Komisionit qeveritar kosovar për demarkacionin, njëkohësisht gjeneral i Shërbimit Policor të Kosovës, Behar Selimi. Sipas Selimit, Komisioni për demarkacionin është duke punuar intensivisht për shqyrtimin e të gjitha dokumenteve që kanë të bëjnë me përcaktimin e vijës kufitare Kosovë-Maqedoni. “Komisioni kosovar ka shumë argumente për ta bindur Komisionin e Maqedonisë, sepse kemi të gjitha dokumentet e nevojshme, të cilat argumentojnë se ato hektarë tokë duhet t’u kthehen pronarëve të tyre”, - është shprehur Selimi. Ai u shpreh optimist se çështja e demarkacionit do të zgjidhet në favor të qytetarëve kosovarë, të cilët prej disa vitesh nuk mund të shfrytëzojnë tokat e tyre. Selimi ka sqaruar gjithashtu se në takimin e radhës Komisioni për demarkacion do ta ketë të gatshëm projektin e rregullores së punës se si do të parashtrohen argumentet për çështjet e demarkacionit, çështje për të cilën deri tani është zhvilluar vetëm një takim mes palëve.

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›