Arben Malaj: Me Edi Ramën, PS do ketë përsëri kosto elektorale

Deputeti i PS-së apelon për domosdoshmërinë e kthimit të PS-së në rrugën e funksionimit institucional
Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste dhe njëherazi deputet i kësaj force politike, Arben Malaj, jep alarmin në selinë rozë, se me politikën preferenciale të Edi Ramës, PS ka rrezik të mbetet në opozitë edhe në vitin 2013-të. Në krye të një kursi reformator të PS-së, Malaj thotë se kjo forcë politike ka nevojë për një frymë të re modernizimi, duke filluar nga kufizimi i kompetencave të kryetarit. Kjo sipas tij, është një pjesë e qenësishme e platformës “Malaj”, e cila ndodhet në një tur diskutimesh në të gjithë Shqipërinë.
“PS ka bërë hapa pas në funksionimin e saj institucional. Hapja e PS-së nuk është një koncept i ri. Një parti nuk mund të hapet dhe të thithë kapacitetin e saj të duhur, nëse nuk është një parti institucionale. Në këtë aspekt, ky është hapi i parë i modernizimit. Pastaj, kur unë flas për pushtet të përqendruar dhe pushtet të limituar, qytetarët shqiptarë e dinë shumë mirë se qëllimi është heqja e të drejtës së kryetarit të emërimeve preferenciale, pasi aktualisht për një arsye apo një tjetër, kryetari të shkatërron karrierën siç i ka ndodhur Eva Allushit, Musa Ulqinit, apo edhe shumë të tjerëve që janë të rrezikuar. Janë qindra e mijëra të rinj që duan të kontribuojnë në Partinë Socialiste. Në momentin që ata vërejnë se marrëdhënia e tyre me Partinë varet nga kryetari i saj, dhe jo nga kontributet dhe rezultatet publike, atëherë të rinjtë demotivohen, duke iu larguar Partisë Socialiste për sa kohë meritokracia është nën emërimet preferenciale. Sot, Partia Socialiste nuk ka burime të mjaftueshme burimesh njerëzore. Me këtë ritëm, më duhet të them se PS përsëri do ketë kosto elektorale. Nuk është kjo rruga që të mposhtim Berishën”, u shpreh dje deputeti Malaj.
Për ndryshimet Kushtetuese Malaj tha se nuk është normale që ligji themeltar i shtetit të ndryshohet çdo dy vjet. Sipas tij, veprimet ndaj Kushtetutës meritojnë një tryezë të gjerë diskutimet dhe konsultimesh me konstitucionalistë. Platforma “Malaj” do prezantohet në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Pas ndalesës në Shkodër dhe Durrës, deputeti socialist Arben Malaj takimin e radhës “Për modernizimin e partive politike”, do ta zhvillojë në qytetin e Kukësit.