E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës, lokomotiva e investimeve të huaja

04-08-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha tha dje se “bashkia e Tiranës dhe kryetari i ri i saj do të bëjnë të mundur që kryeqyteti të kthehet në një lokomotivë të shpejtë të tërheqjes së investitorëve të huaj”. Duke folur në mbledhjen e Qeverisë për investimet e huaja në Shqipëri, shefi i qeverisë shprehu besim të plotë se bashkia e Tiranës do kthehet në një pjesë të përshtatshme për investitorët.
“Jam shumë optimist që me riorientimin e bashkisë së Tiranës, e cila është lokomotiva e zhvillimit të vendit, në një bashki të bazuar mbi tregun e vlerat e tij. Në rast se 11 vite, qytetarët e Tiranës nuk kanë dëgjuar as edhe një herë të vetme fjalën investimet e huaja direkte në kryeqytet, për arsye tashmë të njohura të një klientele të ngushtë që kërkonte që çdo hapësirë e çdo gjë  ta dispononte për vete dhe shpallte antikombëtare çdo përpjekje, kjo situatë merr fund. Kryetari i ri i bashkisë dhe ekipi i tij ka të gjithë vullnetin dhe potencialet për ta shndërruar bashkinë e Tiranës në një lokomotivë të shpejtë të thithjes së investimeve të huaja në Tiranë dhe në Shqipëri”, tha Berisha.
Ai gjithashtu i bëri thirrje të gjithë kryetarëve të bashkive dhe komunave në vend që të kapitalizojnë këtë sukses të qeverisë për investimet e huaja.
“Unë gjithashtu shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë kryetarëve të bashkive e komunave të vendit që këtë sukses ta kapitalizojnë me zotimin për të lehtësuar, ndihmuar, ftuar e mbështetur investimet me përparësi absolute në komunat e bashkitë, ku ata qeverisin. Potencialet e vendit janë absolutisht të jashtëzakonshme. Është në detyrimin e përgjegjësinë tonë të bëjmë gjithçka për t’i shfrytëzuar ato sa më shpejt e për t’i shndërruar ato në vlera për fëmijët, burra, gratë e qytetarët e këtij vendi. Ndaj ne do të vazhdojmë me vendosmëri reformat”, theksoi kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›