Vitin e ardhshëm investimet e huaja direkte pritet të dyfishohen
Kryeministri Berisha përshëndet raportin e PNUD për investimet e huaja në Shqipëri, të cilat për vitin 2010 kapën shifrën rekord, prej 1 miliard dollarësh dhe shprehet shpresa se vitin tjetër investimet e huaja direkte do të shkojnë në shifrën e 2 miliard dollarëve, pra me një rritje prej 100%
Kryeministri Sali Berisha u ndal dje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, në raportin për investimet në botë, të organizatës UNCTAD të Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit, Shqipëria ka tërhequr në vitin 2010, 1.79 miliardë investime të huaja direkte, kur në botë, sipas të njëjtit raport, është shënuar një rënie me 37 për qind e investimeve.
Kryeministri e konsideroi këtë një nga lajmet më pozitive për vendin, i cili në vitin 2005 regjistronte një mesatare tetë vjeçare investimesh prej 38 milionë dollarë, ndërsa në pesë vite, 2006-2010, investimet e huaja direkte në Shqipëri janë mbi 4 miliardë dollarë. Kryeministri u ndal gjerësisht në ecurinë e investimeve të huaja direkte ndër vite në Shqipëri, faktorëve që kanë ndikuar në këtë rritje, si dhe efekteve që këto investime kanë gjeneruar për vendin.
“Dëshiroj të ndajmë një prej zhvillimeve dhe lajmeve më pozitive të këtyre 20 viteve, siç është lajmi i dhënë nga UNCTAD, organizata më serioze botërore nën organizatën e Kombeve të Bashkuara për ekonominë dhe investimet, në raportin e së cilës rezulton se Shqipëria që hyri në vitin 2005 me një mesatare 8 vjeçare investimesh gjithsej 38 milion dollarë, pak më shumë se gjysmën e investimeve që kishte marrë në ato tetë vite Maqedonia, e cila kishte kaluar edhe nëpër një konflikt, që kishte rreth 70 milion dollarë, në vitin 2010, Shqipëria rezulton se ka pasur 1.79 miliardë dollarë investime direkte të huaja. Kjo përbën një arritje shumë të madhe në përpjekjet e shqiptarëve për të realizuar projektin e tyre më të madh të të gjitha kohërave, Shqipëria - vend i zhvilluar. Në pesë vite të marra së bashku, nga viti 2006 gjer në vitin 2010, investimet e huaja direkte në Shqipëri ishin mbi 4 miliardë dollarë. Pra, vendi që në tetë vite së bashku mori rreth 300 milion dollarë, merr në katër vite mbi 4 miliardë dollarë e konkretisht në vitin 2006 - 325 milionë dollarë, në vitin 2007- 656 milionë, në vitin 2008 - 988 milionë, në vitin 2009 - 979 milionë dhe në vitin 2010 – 1.97 miliardë dollarë, u shpreh kryeministri, duke shtuar se një nga premtimet tona ishte shndërrimi i Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja në rajon e më gjerë. Sot, kjo është realitet. Në vitin 2010, Shqipëria është i vetmi vend në rajon me rritje të investimeve të huaja. Në rast se në vende të tjera investimet e huaja për shkaqe tashmë të njohura kanë pësuar rënie, kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri, ku investimet edhe në vitin 2010 janë rritur. Pra, u realizua edhe një nga objektivat më madhor të kësaj qeverisjeje, objektivi për krijimin në Shqipëri të mjedisit më miqësor të mundshëm për investimet dhe biznesin. Sigurisht, Shqipëria ka nevoja të mëdha, sepse erdhi si vendi i zbrazët totalisht nga investimet e huaja, erdhi në vitet ’90 si i vetmi vend në Europë me investime të huaja të ndaluara me Kushtetutë. Ndaj dhe kjo përbën një arritje historike. Nëse krahasojmë indeksin e performancës së investimeve me vitin 2004 del se Shqipëria ‘ka fluturuar’, por nuk duhet të krahasohemi më, me vitet që nuk meritojnë krahasim. Ne duhet të krahasohemi me vitet e kësaj qeverisjeje”, tha Berisha.
Duke u ndalur në shifrat e investimeve të huaja, Berisha tha se në vitin 2006, Shqipëria mori 325 milion dollarë investime të huaja dhe në vitin 2010 mori mbi tre herë më shumë, sesa në vitin 2006.
“Investimet e huaja çdo dy vjet u dyfishuan, çka koencidon në mënyrë shumë impresionuese me trefishimin e eksporteve të vendit. Këto investime janë kryesisht në industrializimin e vendit, proces që po ndodh bazuar në teknologjitë më moderne, sepse Shqipëria po përjeton një revolucion industrial, me teknologjitë më të avancuara”, tha kryeministri.
Shefi i qeverisë theksoi se investimet e huaja në Shqipëri, kanë rritur punësimin, çka do të thotë se vendi ynë ka më pak të papunë si dhe një horizont të ri për lindjen e vendeve të reja të punës.
“Katër miliardë investime të huaja në 6 vjet janë qindra mijëra vende pune të reja, të krijuara nga këto investime. E vërteta është se Shqipëria është i vetmi vend që në këtë periudhë krize madhore ka regjistruar rënie të papunësisë. Sigurisht, një vend që ka 50 për qind të popullsisë së vet në fshat do t’i duhen ndoshta edhe dy dekada, për të arritur raportet normale të urbanizimit të tij, çka do të thotë se edhe për dy dekada qytetet e zonat e industriale të vendit do të përballen me flukse të vazhdueshme shtesë të krahut të punës, të ardhur nga zonat rurale. Janë punësuar qindra e mijëra vetë, por qindra e mijëra të tjerë kanë ardhur në qytet, çka është një proces normal, fatlum. Shoqëria duhet të shndërrohet në një shoqëri kryesisht urbane. Rrethanat historike i mbajtën shqiptarët në një shoqëri 80 për qind rurale, por sot, raporti është afërsisht 50 me 50 dhe natyrisht, ky raport duhet të shkojë drejt përmbysjes në favor të qartë të popullsisë urbane, aq më tepër që ne nuk duhet të harrojmë se ne kemi tokë bujqësore për frymë më pak se të gjitha kombet e tjera në Europë, 1800 metra për frymë. Këto investime u shndërruan në një mekanizëm të madh e të fuqishëm të trefishimit të eksporteve, të shumëfishimit të punësimit dhe gjenerimit të të ardhurave. Por ky tregues, krahas trefishimit të eksportit, është njëkohësisht dëshmia më e shkëlqyer e suksesit të modelit tonë ekonomik. Shqipëria është i vetmi vend me rritjen e investimeve të huaja në rajon jo se pati gjatë këtyre 3-4 viteve shpërthime të mëdha apo gjetje të mëdha nafte apo gazi. Shqipëria kapi këtë nivel, para së gjithash e mbi të gjitha, për shkak të modelit të saj të suksesshëm ekonomik. Model që bazohet në barrën fiskale më të ulët në Europë, model që bazohet në ngarkesën publike mbi sektorin privat më të ulët në Europë, model që bazohet në investime të mëdha, që bazohet në zhdukjen në maksimum të pengesave burokratike”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.