E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arben Malaj rendit arsyet e humbjes së PS-së në zgjedhje

Në një intervistë për “Top Channel” z. Malaj theksoi se, harmonizimi në PS duhet të ishte më i mirë, por edhe përzgjedhja e kandidatëve apo organizimi i fushatës.

“Të kishim një vizion më të mirë për votuesin shqiptar, ekipi të kishte një karriere në rritje me kredibilitet dhe autoritet profesional. PS nuk fiton thjesht nga anëtarët e saj, por kërkohet një mazhorancë më e madhe publike për të qenë fitues”, tha Malaj.

Duke cilësuar si të dështuar modelin e liderit absolut, përfaqësues të periudhës Rama, Malaj ka theksuar se Partia Socialiste duhet të shndërrohet në një forcë moderne me institucione dhe demokraci të tillë dhe kjo nis, sipas tij, që nga roli që lideri duhet të ketë në drejtim të partisë.

“Lideri i saj duhet të jetë i pari mes të barabartëve. Grupi do të funksionojë me mirë si një grup kur merret vendimi dhe i respekton vendimin e kryesisë. Forumi i rinisë dhe i gruas do të ketë pavarësi reale organizmi si dhe për të zgjedhur drejtuesit e tyre. PS-ja ka nevoje të përgatitet në vetvete që në sfidat e ardhshme elektorale të dalë nga stacioni i të qenit në opozitë, në një forcë moderne e gatshme të marrë qeverisjen e vendit”, pohoi Malaj.

Rikandidimi i zotit Rama, për Malajn nuk është një kërkesë personale e tij apo e disa prej kolegëve, por në respekt të standardit me të cilin u drejtua Partia Socialiste në këto 4 vjet.

“U deklarua që në fillim se do të ketë një lider që do të ketë pushtet absolut sepse do të ketë edhe përgjegjësi absolute”, deklaroi Malaj. Sipas tij, në Partinë Socialiste është mbytur e drejta e mendimit ndryshe, fakt që ndikoi për të edhe në rezultatin e zgjedhjeve.

“Kemi pasur një limit të debatit midis kolegëve, gjë që dëmton kredibilitetin e lidershipit dhe vetë PS-së. Kur flasim për një kulturë të dëgjimit të mendimit ndryshe flasim për një strategji për të fituar, dhe jo thjesht për fasadë pas një disfate”, pohoi Malaj.

Deputeti i PS-së është shprehur se ai nuk mbështet përçarjen dhe përplasjet në parti. Por, sipas tij, zgjedhjet ‘një anëtar një votë’ për postin e kryetarit duhet të kenë standardet më të larta të demokracisë, përndryshe kjo do ta çonte drejt një rruge pa krye Partinë Socialiste.

“Ka shumë veprime të cilat për fat të keq te një pjese të lidershipit të PS-së po dëmtojnë rënde kredibilitetin e saj. Nëse PS-ja nuk arrin dot të kryejë zgjedhje të lira dhe të ndershme ajo humbet në opinionin publik atë që ne po mundohemi të ruajmë nga deformimi që Berisha ka bërë”, përfundoi Malaj.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›