E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arben Morina: Kosova është dashuria e parë

Peneli pikturon me ngjyrat e shpirtit! Kjo aksiomë udhëheq gati gjithë krijimtarinë e Arben Morinës. Tablotë e tij, nga njëra te tjera, mund të lexohen veçse në këtë mënyrë. Ndryshe përjetimet mund të jenë edhe të mjegullta. Aq më tepër, kur tablotë e krijuara së voni duken të paprekura nga pjesa e nxirë e realitetit ku jetohet. Por kjo nuk do të thotë se piktori e kërkon frymëzimin gjetkë. Ai është pjesë e këtij realiteti, është kthyer në të pas 16 vjetësh mërgim, atëherë kur të tjerët shkojnë. Vitet e Italisë qenë edhe të vështira. Pati pikturuar në sheshet e Firences, por dyert iu hapën edhe për familjet e mëdha fisnike. Në muret e Frescobaldëve qëndrojnë portretet e realizuara prej tij. Pranon se të jesh konkurrues në Firence është edhe meritë e vlerave, përveçse e fatit. Prej kohës kur u rikthye në Tiranë me një ekspozitë personale, Arben Morina vendosi se edhe në qytetin e tij mund të ndërtonte diçka. "Idetë udhëheqin sot botën", thotë ai, teksa beson se do të vijë dita që kjo të aplikohet dhe në strukturat që kujdesen për kulturën. Vazhdon t‘i mbajë kontaktet me Firencen, edhe pse e sheh të çuditshme pyetjen që shpesh i bëjnë: Do të shkosh sërish në Itali? "Kjo është e çuditshme, më pyesin në shtëpinë time ku do të qëndroj? Kam shëtitur në të gjithë botën, por them se si Shqipëria nuk ka. Ne kemi një potencial mendor dhe fizik, natyror dhe pasuror për të organizuar diçka në vendin tonë", shprehet ai. Kur e ka lënë penelin, dhe gjithë këtë ndjesi të tijën për vendin ku është lindur e shpreh me fjalë, të bën të mendosh se piktorin e ka "mbërthyer" një idealizëm, për të cilin dyshon se nuk do të ketë pendim. Kjo ide të sulmon fort kur edhe në kryeqytetin shqiptar, piktorët, ata më me fat, kanë një studio të tyren dhe një publik që i sheh i e pëlqen veprat. "Realist, i ndjeshëm, idealist...". Këto janë përcaktimet që të prezantojnë me piktorin në sitin e tij zyrtar. Ndërsa biografia e tij nis më 10 gusht të 1956-ës në Tiranë. Duke ndjekur pasionin, Arben Morina ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura (1978- 1982) dhe ka punuar në Galerinë Kombëtare të Arteve të Bukura në Tiranë. Lëvizi dhe qëndroi në Firence të Italisë nga dhjetori i vitit 1990 deri më 1998. Në rrugën e pjekjes së tij artistike udhëtoi edhe drejt Nju Jorkut, për t‘u kthyer sërish në Firence. Qëndroi aty deri sa vendosi të kthehej në Tiranë. "Unë mendoj që rifillimi pas 16 vjet mungesë nuk është aq i lehtë. Aleanca të reja janë ndërtuar, njerëz kanë ikur e të tjerë kanë ardhur. Çdo njeri duhet të dijë të përshtatet. Një ndër pikat më delikate për mua është komunikimi, një mjet i domosdoshëm për komunitetin apo bashkësinë ku ne duhet të synojmë shumë", shprehet Morina. Ndonëse tashmë portreti dhe peizazhi bëjnë pjesë në gjinitë e preferuara të Morinës, edhe atij i ka takuar të krijojë në diktaturë. Me penela ka vizatuar realitetin socialist ashtu siç kërkohej, por edhe personazhe që i përkisnin historisë. Ka marrë edhe çmime. Por ndonëse sot është i lirë të pikturojë ç‘të dojë, t‘i ngjyejë penelat me çfarëdolloj ngjyre, t‘i bëjë tablotë edhe të dhimbshme, Morina i shmanget kësaj. Gjatë kohës së emigrimit mund të kishte qenë grishja më e madhe. Por nuk ka ndodhur. "Piktura ime është shumë lirike dhe paqësore. Ka dritë. Gjërat fillojnë nga respekti për veten tonë. Nuk dua të fus frymën e demoralizimit apo të viktimizimit. Jo të inferioritetit e të vasalit, por të barazisë e bashkëjetesës", thekson ai. "Jam me këmbët në tokë. Kur një njeri ka personalitet, atëherë dhe puna e tij reflekton diçka të brendshme dhe e thellë", vazhdon ai. Është i ndërgjegjshëm që edhe arti figurativ në Shqipëri është i zhytur në një kaos që për të nuk ka lidhje vetëm me tranzicionin. E quan një kaos që do të marrë trajta dhe do qartësohet, por duhet një gjithëpërfshirje e aktorëve që ndikojnë në të. Mbetet optimist, teksa ditët në Tiranë nuk i lë bosh. Së fundmi, Kosova ka qenë ajo që e ka grishur më shumë. Në ditën e festimit të njëvjetorit të pavarësisë, i ka kushtuar disa tablo. Madje edhe në një kalendar me piktura të tij, muaji shkurt përfaqësohet nga një vajzë kosovare, me një gjysmë shqiponje në faqe e me sfondin e kuq. "Tema ime e preferuar është Kosova, vendi i të parëve të mi, origjina ime. Është edukata që kam marrë për ndjenjën për Kosovën. Kur marr penelin, idetë, mendimet, ngjyrat më dalin natyrshëm", shprehet Morina. Tablotë e tij janë festive. Ai e preku nga afër ditën e 17 shkurtit, kur shumë besuan se ëndrrat përmbushen. "E përjetova shumë atë ditë. Preka dhe vendin e të parëve të mi, Gjakovën. Hyra në ambientet tona të hershme dhe thirrja ishte shumë e ndjeshme. Kthehesha në të kaluarën, kujtoja gjyshin, firmëtarin e Pavarësisë në Vlorë dhe përjetova modernen e të sotmen që ishte prezente mes atij ngazëllimi. Këtë histori, këtë epizëm e trajtoj me nota lirike nga pozicioni dhe uni im", tregon piktori. Këto tablo do të jenë një motiv i mirë që ai të bëjë një udhëtim të dytë, këtë radhë një vit pas pavarësisë. Por do të kthehet sërish në Tiranë. Me penela në dorë, me dëshirën për të përmbushur qëllimin, do të hedhë sërish penelata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›