E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arben Ristani, kandidati i PD-se në krye të KQZ-së

Ristani cilësohet kandidatura më e kuotuar për të zëvendësuar Çlirim Gjatën. PS, PD, PR dhe PSD, gati kandidaturat për përfaqësimin në KQZ-në e re

Shaban Sulçe

Arben Ristani duket se do të jetë emri i ri i kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ristani do të zërë vendin e Çlirim Gjatës në KQZ-në e re, që pritet të riformatohet pas “shkrirjes” së saj në momentin e ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit, të cilat ia hiqnin të drejtën KQZ-së për të qenë institucion kushtetuese. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, dje ka qenë afati i fundit për partitë parlamentare për të depozituar kandidaturat për anëtarë të KQZ-së. Por ndërsa partitë kanë depozituar emrat e rinj, paralelisht është menduar edhe për emrin që do të drejtojë KQZ-në. Pikërisht Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, të cilat kanë më shumë fuqi vendimmarrëse, duket se janë shumë afër konsensusit për përzgjedhjen e kandidaturës së Arben Ristanit në krye të institucionit kryesor të procesit të administrimit të zgjedhjeve. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, partia më e madhe e maxhorancës ka të drejtën e propozimit e të paktën 4 kandidaturave, nga të cilat dy do të përzgjidhen nga partia kryesore e opozitës, për t’u votuar më pas në Kuvend.

Ristani

Arben Ristani u emërua anëtar i KQZ-së në verë të vitit 2006, pas propozimit të bërë nga Partia Republikane. Ai ka qenë anëtar i KQZ—së deri përpara ndërprerjes së funksionimit të saj, pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor. Ristani dha dorëheqjen si anëtar i KQZ-së në fund të vitit të kaluar, pasi u emërua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë si drejtor i Shkollës së Magjistraturës. Bordi i drejtimit të kësaj shkolle e ka propozuar Ristanin në KLD për të qenë në katër vitet në vijim në krye të saj. Ristani u emërua pas largimit të Adriana Fullanit si anëtare e Gjykatës së Lartë. Por duket se Ristani nuk do të vijojë në këtë detyrë, pasi emri i tij figuron si më i preferuari nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste për të drejtuar Komisionin e ri Qendror të Zgjedhjeve.

Anëtarët
Sipas Kodit të ri Zgjedhor, Komisioni i ri Qendror i Zgjedhjeve do të ketë në përbërje 7 anëtarë, jo 9. Nga këto dy anëtarë do t’i ketë partia kryesore e maxhorancës, dy anëtarë partia kryesore e opozitës, dhe respektivisht nga një anëtar partia e dytë më e madhe e maxhorancës dhe partia e dytë më e madhe e opozitës. Sipas afateve të përcaktuara në Kod, partitë kanë pasur dje ditën e fundit për të dorëzuar propozimet e tyre për anëtarët e rinj të KQZ-së së re. Dje partitë parlamentare kanë bërë propozimet e tyre. Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, konfirmoi se janë dërguar pranë Sekretarisë së Kuvendit emrat e Dëshira Subashit dhe Artan Lazes, si dy propozimet e kësaj partie për dy vendet që i takojnë PS-së në KQZ. Dëshira Subashi është aktualisht anëtare e këtij komisioni. Edhe Partia Demokratike ka depozituar dy emrat e saj, që janë Hysen Osmanaj dhe Vera Shtjefni. Tri ditë më parë Partia Republikane dorëzoi e para në Kuvend emrat e Klement Zgurit dhe Arben Braçes për vendin që asaj i takon në KQZ. Partia Socialdemokrate ka filluar të mbledhë firmat e nevojshme për dy kandidaturat e tyre për një vend në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pandeli Varfi dhe Pavli Zëri janë dy emrat e përzgjedhur nga PSD-ja.

Si zgjidhen anëtarët e KQZ-së

Në Kodin e ri Zgjedhor janë sanksionuar procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kështu, sipas këtij Kodi, dy anëtarë të KQZ-së propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e shumicës parlamentare, pra Partia Demokratike. Po dy anëtarë propozohen nga partia e opozitës që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend, pra nga Partia Socialiste. Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës. Duke qenë se Partia Republikane ka numrin më të madh të deputetëve të shumicës në Kuvend, ajo do të ketë të drejtën e propozimit për përfaqësimin e saj në Kuvend. Anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës. Duke qenë se Partia Social-Demokrate ka numrin më të madh të deputetëve të opozitës pas PS-së dhe mbi të gjitha gëzon mbështetjen e kësaj partie, ajo ka të drejtën të bëjë propozimin e saj për t’u përfaqësuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për anëtarin e pestë dhe të gjashtë të KQZ-së Kuvendit i paraqitet për votim lista e kandidatëve që ka siguruar numrin më të madh të nënshkrimeve mbështetëse të deputetëve të grupeve respektive parlamentare të shumicës dhe opozitës parlamentare, përfshirë edhe deputetët e dy partive më të mëdha të secilit grupim. Në rast se dy apo më shumë lista sigurojnë numër të njëjtë nënshkrimesh mbështetëse, të gjitha kandidaturat e përfshira në këto lista futen në votim.
Votimi për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së zhvillohet në një ditë të vetme.

SI zgjidhet kryetari i KQZ-së

Në Kodin e ri Zgjedhor është sanksionuar gjithashtu procedura për zgjedhjen e anëtarit të shtatë të KQZ-së, i cili është edhe kryetari i saj. Sipas Kodit, anëtari i shtatë dhe njëkohësisht kryetar i KQZ-së, zgjidhet jo më vonë se 7 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së. Të drejtën e propozimit e ka grupi parlamentar i partisë më të madhe të shumicës parlamentare, pra Partia Demokratike, që i paraqet Kuvendit një listë prej jo më pak se katër kandidaturash. Nga ana tjetër, grupi parlamentar i partisë më të madhe të opozitës parlamentare përzgjedh dy nga kandidaturat e propozuara. Kandidaturat e përzgjedhura i kalojnë Kuvendit për votim. Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Si ishte Si bëhet
Numri i anëtarëve 9 7

Kryetar Çlirim Gjata Arben Ristani

Anëtarët e PS-së Dëshira Subashi Dëshira Subashi
Flamur Qato Artan Laze
Fatmir Kumbaro

Anëtarët e PD-së Çlirim Gjata Hysen Osmanaj
Klement Zguri Vera Shtjefni

Anëtari i PR-së Arben Ristani Klement Zguri/
Arben Braçe

Anëtari i PSD-së s’ka Pandeli Varfi/
Pandi Zëri

Anëtari i LSI-së Genti Shala s’ka

Anëtari i PDK-së Dodë Prena s’ka

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›