E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëvizja “Mjaft”: KLD-ja të nisë procedimin për shkeljet në dosjen “Basha



Lëvizja “Mjaft!” mbajti dje një deklaratë mbi ecurinë e procesit kundër ministrit të Jashtëm Lulzim Basha. “Presim nga seanca gjyqësore e ditës së hënë në Gjykatën e Apelit, që pas dorëheqjes së dy gjyqtarëve, ashtu siç ne kemi kërkuar që në fillim, çështja t’i kalojë Gjykatës së Lartë, sikurse parashikon Neni 141 i Kushtetutës, i cili sanksionon në mënyrë eksplicite se gjykimi i ministrave zhvillohet në Gjykatën e Lartë”, - tha Besar Thaçi. “Ne besojmë se Kushtetuta duhet të prevalojë mbi çdo ligj tjetër, ashtu sikurse mbi vetë të pandehurin Basha, i cili, përtej përçapjeve të tij, nuk mund të dalë mbi ligjin material dhe mbi Kushtetutën. Ne mbështesim Gjykatën e Apelit në hapat e saj për të shpallur moskompetencën dhe për ta çuar çështjen në juridiksionin e Gjykatës së Lartë”, - vërejti Thaçi. Më tej përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje i bënë thirrje Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të nisë procedimin administrativ në Gjykatën e Shkallës së Parë, ndaj shkeljes së hapur të Nenit 141 të Kushtetutës dhe të Nenit 17, pika “ë” e të Nenit 85 të Kodit të Procedurës Penale, që ndodhi në marrjen në gjykimin të ministrit Basha. Sipas tyre, një proces gjyqësor i ligjshëm dhe i pacenuar nga presionet politike mund të garantohet vetëm nëse çdo i pandehur, përfshi ministra, biznesmenë e të tjerë, nuk del mbi ligjin, por i nënshtrohet atij.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›