E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Jo propozime për KQZ-në, PD-PS i kanë mbyllur pazaret



Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron farsë procesin e propozimeve për riformatimin e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas LSI-së, i gjithë ky proces është farsë dhe formal, pasi dy partitë kryesore, PS e PD, kanë rënë dakord për përbërjen e KQZ-së së re. Për këtë arsye, LSI-ja ka refuzuar të bëjë propozimet e saj për anëtarin e KQZ-së, duke mos pasur asnjë shpresë në gjetjen e mbështetjes nga ana e Partisë Socialiste, e cila gjithsesi ka menduar që t’i garantojë përfaqësimin në KQZ aleaes të saj më të ngushtë, PSD-së. Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, tha se LSI-ja nuk do të ndërmerrte asnjë propozim, duke qenë se KQZ-ja e re po riformatohet në mënyrë formale. “Kodi Zgjedhor e ka emëruar anëtarin e pestë dhe të gjashtë të KQZ-së, zgjedhja është vetëm formale. Tashmë dihet që anëtari i KQZ-së zgjidhet me votat e partisë së madhe, si të pozitës, ashtu edhe të opozitës. Në këto kushte, Partia Socialiste ka bërë marrëveshjen me PD-në për këto emërime thjesht formale”, - tha Braho. Lëvizja Socialiste për Integrim, edhe pse konsiderohet forca e tretë më e madhe politike në vend, është privuar nga e drejta e përfaqësimit të saj në procesin e administrimit të zgjedhjeve. Në Kodin e ri Zgjedhor, të votuar nga PS-ja dhe PD-ja, LSI-së iu mohua e drejta për të pasur komisionerët e saj gjatë procesit të numërimit të votave. Madje për këtë LSI-ja protestoi gjatë, ndërkohë që lideri i saj, Ilir Meta, së bashku me deputetët e LSI-së, por edhe të PDK-së dhe të PS ’91-shit, zhvilluan një grevë urie disaditore. Por greva e deputetëve nuk u mor në konsideratë nga PS-ja dhe PD-ja, të cilat e votuan Kodin me një shumicë të konsiderueshme votash.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›