E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pretekstet diplomatike”, Basha tërheq zvare Gjykaten e Larte

Sot pritet të dështojë seanca e parë në Gjykatën e Lartë. Shkak, udhëtimi jashtë shtetit. Lulzim Basha premtoi të ishte prezent në seancë, por pëlqeu të shoqërojë Berishën në Davos

Laureta Rryçi

Tiranë - “Sebepet” diplomatike, ministri Lulzim Basha duket se ka ndër mend t’i përdorë edhe për zvarritjen e procesit gjyqësor në Gjykatën e Lartë. Ndërsa gjatë ditës së sotme pritet të nisë seanca e parë gjyqësore për dosjen ku ministri është i pandehur, ai, për të mos qenë prezent, ka preferuar të marrë pjesë në një forum disaditor që s’ka lidhje me ministrinë që ai mbulon. Mosprezenca e tij do të jetë dhe objekt për shtyrjen e seancës në mënyrë për të mos nisur shqyrtimi i procesit penal. Lulzim Basha, aktualisht në postin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, akuzohet për abuzime me fondet e lëvruara për ndërtimin e segmentit “Rrëshen-Kalimash”, teksa kryente funksionin e ministrit të Transporteve. Pjesëmarrja në Forumin Ekonomik Botëror, që po zhvillohet në Davos, jo vetëm që nuk ka qenë i detyrueshëm për të, por duke qenë i karakterit ekonomik, kryeministri mund të kishte marrë me vete ministrin e Ekonomisë, apo dhe të Financave, por kurrsesi ministrin e Jashtëm. Mirëpo kjo duket se nuk është hera e parë dhe s’do të jetë as hera e fundit ku mungesat e ministrit do të kenë nga pas takime të parëndësishme, sa nuk pasqyrohen edhe në sitin e Ministrisë së Jashtme. Nëse do të ktheheshim pak në kohë, gjatë gjithë fazës së hetimeve ministri ka nxjerrë gjithfarë pretendimesh për udhëtime jashtë shtetit, duke u paraqitur vetëm një herë të vetme në Prokurori për të dhënë deklarimin e tij në lidhje me çështjen.
Pretekstet
Trupi gjykues që do të shqyrtojë dosjen “Basha” në Gjykatën e Lartë ka përcaktuar orën 10:00 të ditës së sotme për nisjen e gjykimit të kësaj çështjeje. Mirëpo të gjitha gjasat janë që seanca të shtyhet për një datë tjetër, duke qenë se ministri Basha është shprehur se dëshiron të jetë i pranishëm në seancën e parë gjyqësore. Me gjithë deklaratën duket se ditët e fundit ministri që është i pandehur ka ndryshuar mendje. Ai ka preferuar të jetë pjesë në një forum, edhe pse s’ka të bëjë fare me diplomacinë. Ai e ka lënë Shqipërinë prej dy ditësh dhe çuditërisht asnjë njoftim zyrtar nuk është anonçuar në siten e Ministrisë për ndonjë takim të rëndësishëm, që do të ketë efekte pozitive për vendin. Ky udhëtim duket se do ta detyrojë trupin gjykues të caktojë një datë tjetër për t’i dhënë mundësi në këtë rast ministrit të pandehur të jetë i pranishëm në çështjen në ngarkim të tij. Nuk i dihet ende se çfarë do të përfshijë axhenda e ministrit, ndërsa dihet vetëm se më 9 shkurt ministrja e Jashtme e shtetit grek, Dora Bakojanis, do të vizitojë Shqipërinë.
Mungesat
Që në krye të herës së hetimit të tij, Lulzim Basha ka refuzuar bashkëpunimin në kohë reale me organet e Drejtësisë. Porsa Prokuroria e Tiranës nisi çështjen për tenderimin e rrugës, Basha ofroi “mbështetjen e tij dhe të Ministrisë për çdo dokumentacion të nevojshëm”, por kur pas shqyrtimit të dokumentacionit prokurorët e Tiranës deshën ta merrnin në pyetje, Basha doli para kamerave dhe e quajti Prokurorinë si “politike dhe nën urdhrat e verbra e të njëanshme të Dhori Sollakut”. Më vonë, pas emërimit të Ina Ramës në krye të organit të akuzës, Basha shkoi vetë në Prokurorinë e Përgjithshme për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjen, por përsëri këtë gjë e realizoi vetëm një herë, pasi mbyllja e hetimeve e gjeti atë fajtor dhe ministri i Jashtëm nuk denjoi të paraqitej për të marrë akuzën që i kishin formuluar prokurorët e çështjes. Por Basha nuk u mjaftua vetëm me injorimin e organit të akuzës. Ai, nga ana tjetër, nxiti dhe mbështeti një proces gjyqësor paralel, që synonte pavlefshmërinë e procedurës së ndjekur nga prokurorët për shpalljen e tij si të pandehur. Basha dërgoi avokatin e tij, Zef Nikaj, në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa ky i fundit bëri me dije, pasi doli nga institucioni qendror i akuzës, se e kishte konsideruar si të jashtëligjshëm dhe të pavlefshëm aktin e shpalljes së Bashës si të pandehur. Ky refuzim i ministrit për t’u paraqitur para prokurorit shënon numrin tre të refuzimeve të tij, ndërsa dy herë të tjera Basha nuk u paraqit në Prokurorinë e Tiranës kur për të njëjtën çështje e thirri edhe prokurori Ervin Karanxha.

Akuzat e Prokurorisë ndaj ministrit dhe vartësit të tij

Lulzim Basha dhe Andi Toma nuk e kanë firmosur dosjen penale në ngarkim të tyre, por Prokuroria e Përgjithshme, pavarësisht këtij refuzimi, e ka dorëzuar atë prej kohësh në Gjykatën e Lartë. Ish-kreu i Ministrisë së Transporteve, Basha dhe ish-vartësi i tij, Andi Toma, akuzohen për abuzime me fondet e segmentit “Rrëshen-Kalimash”, pjesë e rrugës “Durrës-Kukës”. Sipas ekspertëve, dëmi që i është shkaktuar shtetit kap shifrën e 232 milionë eurove. Për abuzime me fondet u akuzuan dhe ish-zv/ministri i Transporteve, Armand Teliti dhe ish-drejtoresha e Përgjithshme e Rrugëve, Lejla Saraçi. Prokuroria e pushoi akuzën për këta dy ish-zyrtarë për mungesë provash dhe faktesh.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›