E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëzimi i MASH-it: “Prindërit do të paguajnë një mijë lekë në vit për shkollën e fëmijës”



Prindërit e nxënësve në arsimin parauniversitar duhet të paguajnë në mënyrë vullnetare një mijë lek në vit për shkollën ku fëmija ndjek mësimin. Ministria e Arsimit, tashmë ka miratuar një udhëzim për grumbullimin, ruajtjen dhe përdorimin e të ardhurave nga dhurimet e prindërve të nxënësve. Sipas këtij udhëzimi, është përcaktuar që çdo prind do të kontribuojë për nevojat e shkollës së fëmijës së tij, jo më shumë një mijë lekë në vit. Gjithashtu, janë caktuar edhe mënyra e arkëtimit, ruajtjes dhe përdorimit të tyre, të cilat më parë nuk kanë pasur një procedurë transparente. Mbulimi i nevojave të shkollës, si pasojë e defiçiteve të punës së pushtetit vendor, kanë detyruar deri tani prindërit e fëmijëve në arsimin parauniversitar të paguajnë 20-30 dollarë në vit. Përdorimi i parave të mbledhura do të kryhet përmes një Komisioni Blerjesh të shkollës të përbërë nga 2-4 mësues, të cilët do të votohen nga Këshilli Pedagogjik dhe përfaqësuesit e qeverisë së nxënësve. Çdo blerje do të shoqërohet me faturë, që do të ruhet për tre vjet. Çdo material i blerë nga dhurimet e prindërve tani do të raportohet nga Drejtoritë Arsimore Rajonale, të cilat do të njoftojnë zyrtarisht edhe njësitë përkatëse të pushtetit vendor. Pranë MASH-it është ngritur grupi i projektit “Cilësi dhe barazim në arsim”, që ka për qëllim të monitorojë veprimtarinë e institucioneve dhe individëve të përfshirë në këtë projekt si dhe mënyrën e realizimit të pjesëve të reformës që ka nisur prej disa vitesh. Madje, javën e kaluar, për të kryer detyrën e ngarkuar, grupi shkoi në një nga shkollat e kryeqyteti për të ndjekur zbatimin e udhëzimit nr.29 datë 25.9.2007 për “Grumbullimin, ruajtjen dhe përdorimin e të ardhurave nga dhurimet nga prindërit e nxënësve të shkollave të arsimit parauniversitar”. Sipas udhëzimit drejtorët e shkollave kanë kërkuar nga mësuesit të hartojnë një listë të nevojave më të domosdoshme për shkollën dhe në mbledhjen me prindërit këtyre të fundit i paraqitet lista e hartuar, në të cilën është përcaktuar edhe shuma. J.Tashi

19 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›