Sëmundjet ngjitëse që prekin shqiptarët
Emanuela Sako
Shumica e njerëzve vuajnë nga sëmundjet infektive, të marra në rrugë të ndryshme. Një pjesë e tyre i çon deri në vdekje. Mjeku infeksionist, Arian Harxhi, sqaron për gazetën “Albania” se sëmundjet infektive përbëjnë një nga sëmundjet më të rrezikshme për jetën e njerëzve. Specifika e tyre është se ato transmetohen nga një person apo specie tek një person apo specie tjetër. Sipas tij rrugët apo mënyrat e transmetimit janë nëpërmjet ajrit, ushqimit, ujit, shiringave, apo në mënyrë vertikale nga nëna tek fëmija etj. Mjekët shpjegojnë se mënyra më e mirë e parandalimit të sëmundjeve infektive është vaksinimi i hershëm i të gjithë personave. Me anë të vaksinave përkatëse do të mund të shmangen një pjesë e madhe e përhapjes së këtyre sëmundjeve.
Transmetimi
Sëmundjet infektive transmetohen në mënyra dhe mekanizma të ndryshëm. Një pjesë e tyre transmetohen përmes rrugës aerogene (ajrit), përmes spërklave të pështymës së infektuar. Me këtë rrugë transmetohen sëmundje të tilla si gripi, infeksionet e mushkërive, tuberkulozi, shkaktarë që japin meningjitin etj. Një pjesë e sëmundjeve infektive të aparatit tretës apo siç quhen sëmundje gastrointestinale transmetohen përmes konsumimit te ushqimit apo ujit të infektuar. Këtu mund të përmendim sëmundje si dizenteria, helmimi ushqimor, salmoneloza, infeksionet nga parazitet apo krimbat e zorrës. Infeksionet seksualisht të transmetueshme janë ato sëmundje që shkaktohen nga kontakti me lëngjet seksuale të trupit zakonisht si rezultat i kontaktit intim seksual. Në këto infeksione përfshihen infeksioni HIV/AIDS, sifilizi, klamidia, gonorrea, hepatiti, herpesi, papiloma virusi etj. Një pjesë e rëndësishme e infeksioneve kanë nevojë për një ndërmjetës apo “vektor” për të kaluar nga personat apo kafshët që i mbartin te njerëzit. Këto vektorë janë psh mizat, mushkonjat, rriqnat etj. Shume infeksione mund të transmetohen nga kafshët te njerëzit përmes rrugëve të ndryshme. Në këto sëmundje me origjinë nga kafshët përmendim brucelozën, leishmaniozen, tetanozin, tërbimin, etj. Sëmundjet infektive mund të transmetohen edhe përmes gjakut apo procedurave mjekësore dhe jo mjekësore me instrumente çpuese të kontaminuara (psh pirsing, tatuazhi apo injektimi i drogave me shiringë). Në këtë mënyrë transmetohen infeksioni HIV/AIDS, hepatiti B dhe C (verdhëza), etj Gjithashtu sëmundjet infektive mund te transmetohen edhe nga nena e infektuar tek i porsalinduri. Këtu futen toksoplazmoza, HIV-i, hepatiti, rubeola, sifilizi, etj.
Pasojat
Sëmundjet infektive apo ngjitëse përbëjnë shkakun kryesor të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së popullatës në rang botëror. Këto sëmundjet mund të kenë pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e personit apo popullatës së prekur. Për shkak të mundësisë së përhapjes së shpejtë në një komunitet apo popullatë, këto sëmundje paraqesin rrezik për shpërthime epidemish me pasoja të rënda. Shkaktarët e sëmundjeve infektive (viruset, bakteret) mund të përdoren si armë biologjike terroriste mjaft të rrezikshme. Sëmundjet ngjitëse mund të jenë vdekjeprurëse siç janë infeksioni HIV/AIDS, tërbimi, ethet e verdha, ethet hemorragjike, botulizmi, tërbimi, apo me pasoja mjaft të rënda edhe fatale siç janë infeksioni i trurit apo cipave të trurit (encefaliti dhe meningjiti), infeksioni i valvulave të zemrës, helmimet e rënda ushqimore, hepatiti (verdhëza) e rëndë që çon në vdekje apo në cirozë dhe kancer të mëlçisë etj. Sëmundjet infektive tek gruaja shtatzënë mund të shkaktojnë dëmtime të rënda tek fetusi apo fëmija i porsalindur.
Sëmundjet ngjitëse
Ajri
gripi, infeksionet e mushkërive, tuberkulozi, shkaktaret qe japin meningjitin etj.
Uji, ushqimi
Sëmundjet infektive te aparatit tretës, apo siç quhen sëmundje gastrointestinale, transmetohen përmes konsumimit të ushqimit apo ujit të infektuar.
dizenteria, helmimi ushqimor, salmoneloza, infeksionet nga parazitët apo krimbat e zorrës
Sëmundjet seksuale
HIV/AIDS, sifilizi, klamidia, gonorrea, hepatiti, herpesi, papiloma virusi
Sëmundje me origjinë nga kafshët
bruceloza, leishmanioza, tetanozi, tërbimi
Sëmundjet infektive përmes gjakut apo procedurave mjekësore dhe jo mjekësore
pirsing, tatuazhi, injektimi i drogave me shiringe, infeksioni HIV/AIDS, hepatiti B dhe C (verdhëza), etj
Sëmundjet infektive nga nëna tek fëmija
toksoplazmoza, HIV-i, hepatiti, rubeola, sifilizi
19 Maj 2008