Dokumentet sekrete të Pinarit zbardhin kontrabandën e armëve
Habjon Hasani
Ajo që dihet deri sot për korrupsionin dhe krimin e Gërdecit duket se është veçse maja e ajsbergut. Gazeta “Albania” ka zbuluar së fundi disa të dhëna lidhur me pistën e ndjekur nga prokuroria për trafikimin ndërkombëtar të armëve. Sikundër mund të mendohet, Prokurorisë nuk i është dashur ndonjë punë e madhe investigimi për këtë pistë, pasi informatat më të vyera duket se janë siguruar në “gojën e ujkut”, në zyrën e Ylli Pinarit. Fill pas arrestimit Prokuroria ka mundur të sigurojë një volum të konsiderueshëm dokumentesh, ndër të cilat disa kontrata, disa komunikime me anë të FAX-it, por edhe disa preventivë, të cilët kanë formuar të dhënat e nevojshme për të diktuar një rrjet të mirorganizuar të trafikimit dhe shitjes në të zezë të armëve shqiptare. Një zyrtar i lartë i Prokurorisë së Përgjithshme i ka pohuar gazetës se shkeljet me procesin e demontimit janë “limonadë” në krahasim me pistën hetimore që ofrojnë dokumentet e sekuestruara në zyrën e Ylli Pinarit. “Kanë qenë të dhëna shumë të rëndësishme për ne. Nëpërmjet këtyre dokumenteve jo vetëm faktohet dyshimi për trafikimin e armëve, por ofrohen dhe të dhëna konkrete lidhur me kontaktet dhe linjën e bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë, që me sa duket i prisnin këto ngarkesa”, – ka pohuar zyrtari i Prokurorisë së Përgjithshme.
Linja
Në sajë të informacionit të sekuestruar është vërtetuar se nga firma “MEICO” ka pasur tratativa dhe kontrata të konkluduara me disa “pika kontakti” ndërkombëtare, që nuk kanë operuar në rrugë zyrtare dhe që rezultojnë si subjekte private anonime. Por përveç këtij fakti në dokumente vërtetohet se ka pasur dhe disa dërgesa të mëdha me kontenierë të mbushur me municione, të cilat nuk figurojnë në regjistrat zyrtarë të kompanisë. Deri tani mësohet se janë evidentuar edhe disa pika kontakti me të cilat ka pasur marrëdhënie intensive të kontrabandimit të armëve në tre vitet e fundit. Greqia, Bosnja, Austria dhe Zvicra janë evidentuar deri tani si pika kontakti për porositjen e ngarkesave, ndërsa disa dokumente kanë dhënë informacion edhe në lidhje me vendin e të këtyre ngarkesave. Zbardhja e këtij informacioni që lidhet me kontrabandimin e armatimit të vendit tonë ka hedhur dritë edhe në lidhje me funksionet e vërteta të së ashtuquajturës “bazë të demontimit në Gërdec”. Kjo ndodh pasi nga krahasimi i të dhënave prokurorët kanë bindjen se në të vërtetë Gërdeci ka qenë më së shumti një pikë transiti dhe parapërgatitjeje për municionet që “i hipnin” avionëve në Rinas.
Dilemat
Prokurorët e dosjes “Gërdeci” janë të sigurt se hetimi thelbësor i kontrabandimit të armëve do të rrisë ndjeshëm numrin e të dyshuarve dhe të akuzuarve për këtë vepër penale. Sipas tyre, organizimi i një aktiviteti me përmasa të tilla në sfondin e një “qetësie perfekte” që u trondit vetëm nga shpërthimi i 15 marsit, me siguri që është një skemë që ka përfshirë shumë njerëz. “Është logjike që ngarkesat që kanë kaluar totalisht jashtë rregullave në destinacione të padeklaruara në mënyrë kaq të kollajtë ngrenë pikëpyetjet e tyre. Kush ua siguroi këtë luks dhe këtë qetësi këtyre njerëzve? Nuk janë vetëm SHIK-u dhe SHIU institucionet që mbikëqyrin veprimtarinë, por ka edhe disa praktika me institucione të tjera që duhen kryer për këtë veprimtari, kështu që dyshimi për zyrtarë të tjerë të implikuar është mëse normal”-shprehet zyrtari i lartë i Prokurorisë së Përgjithshme. Sakaq, tashmë është e qartë se Prokuroria ka në dorë dokumentacion me vlerë që ka filluar të çojë në “rrugë të mbarë” zbardhjen e trafikimit dhe kontrabandimit të armëve shqiptare. “Dokumentet që gjetëm në zyrën e Ylli Pinarit janë guri i themelit. Ai (Ylli Pinari) me thënë të vërtetën ka qenë një zyrtar shumë sistematik dhe shumë i organizuar. Kështu që falë këtyre vetive të tij ne mundëm të siguronim një dokumentacion voluminoz dhe shumë informues të akumuluar dhe të mbajtur me shumë kujdes në zyrën e tij”, - pohon zyrtari.
Ministria e Jashtme dhe Auditi nuk “pipëtijnë”
Një tjetër pikëpyetje lidhet me skandalin e Gërdecit edhe me rolin e Ministrisë së Jashtme dhe të Auditit të Ministrisë së Mbrojtjes që çuditërisht janë dy institucionet e vetme të implikuara që nuk janë përmendur nga presidenti dhe kryeministri. Pakkush e di, por asnjë shitje nuk mund të kryhet nga MEICO nëse mbi kontratë nuk firmos dhe Ministria e Jashtme. Kjo për faktin se është pikërisht Ministria e Jashtme që shikon vendmbërritjen e armëve dhe analizon të drejtën ndërkombëtare të transportit (për vendet në embargo etj.). Kësisoj dhe Ministria e Jashtme duket se "nuk po ndihet" lidhur me këtë fakt. Mund të ndodhë që trafiku është bërë në mungesë të plotë të dijenisë së Ministrisë së Jashtme, por municionet që janë trafikuar kanë qenë diku të regjistruara dhe të inventarizuara. Në këto kushte, lind pyetja: Po Auditi i Ministrisë çfarë ka bërë? Edhe ky institucion as është përmendur fare nga kryeministri dhe presidenti, që çuditërisht fajësojnë institucionet më pak përgjegjëse për këtë skandal.
Pranë Rinasit, autostradës e Durrësit
Vendndodhja e fabrikës në Gërdec të Vorës është një e dhënë shumë domethënëse e mundësisë së trafikimit të paligjshëm të municioneve. Pikësëpari, afërsia me vendet e transitit ul shumë kostot e transportit, por mbi të gjitha krijon një disponueshmëri të lartë. Kjo do të thotë se në arsenalin e pafund të municioneve të Gërdecit, nëse do të kishte "porosi", mjafton të ishte avioni, anija dhe furgonët gati, pasi armët ishin gati me kohë dhe shumë pranë. Kësisoj, afërsia me këto pika ishte patjetër një vendndodhje e mirëmenduar nëse i referohesh faktit se vendndodhjen e kanë përcaktuar autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes, që e dinin shumë mirë se nuk mund të lihej "bomba" në mes të fshatit.
Arkat prej druri, sekreti i vërtetë
Gazeta "Albania” pak kohë më parë ka botuar një numër të konsiderueshëm kontratash për shitblerje armësh të bëra nga shoqëria “MEICO”, ndërsa mes rreshtave të këtyre kontratave del në pah një element shumë i rëndësishëm i marrëdhënieve mes palëve. Në të gjitha termat e kontratave, blerësit e interesuar pranë MEICO-s kanë kërkuar që municionet e rënda të paketoheshin në arka prej druri. Arsyeja është e thjeshtë, arkat e hekurit janë rreth 12-14 herë më të rënda, fakt ky që 12-fishon koston e transportit ajror. Në këtë lloj transporti kostot e ngarkesave llogariten me njësinë ton/km. Kështu që nuk është e vështirë të kuptosh se më së shumti punonjësit në Gërdec transportonin predhat nga arkat prej hekuri në ato prej druri. Ky është një akt që është konfirmuar nga dëshmitë e ish-punonjësve, por edhe nga disa filmime në fabrikë, ku dukej qartë se municionet pastroheshin dhe ripaketoheshin, çka flet qartë për një ”demontim virtual” të municioneve, pasi gjasat janë që ato municione janë rishitur gjetkë.
19 Maj 2008