E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina bie në lum, një i vdekur dhe një i plagosur në aksident



POGRADEC – Teksa drejtonte automjetin në aksin rrugor Pogradec-Korçë, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin, duke e nxjerrë jashtë rruge mjetin dhe për pasojë, ai është plagosur, ndërsa bashkudhëtari i tij ka gjetur vdekjen. Burimet zyrtare të policisë së Korçës bëjnë të ditur se ka gjetur vdekjen shtetasi Gëzim Begolli në një aksident të ndodhur në mesnatën e së premtes. Viktima po udhëtonte në mjetin tip Opel, me targa PG 1918 B, i drejtuar nga shtetasi Armand Bimbli. Pikërisht, fare pranë urës së Bulgarecit, mjeti ka dalë nga rruga, duke përfunduar në lum. 28-vjeçari Begolli gjeti vdekjen e menjëhershme ndërsa shoferi Bimbli u plagos rëndë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit. Burime në spitalin e Korçës bëjnë të ditur se Armand Bimblit po i jepet ndihma mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa viktima fillimisht është dërguar për ekzaminim në morgun e spitalit. Grupi hetimor i ngritur po heton rreth shkaqeve të aksidenti, ndërsa pista e parë është ajo e humbjes se kontrollit nga ana e drejtuesit te mjetit.

Box 1
Prangoset, aksidentoi për vdekje të moshuarin

DURRËS – Një drejtues mjeti, pasi ka aksidentuar për vdekje tre ditë më parë të moshuarin që po ecte në këmbë në aksin Fushë Krujë, është arrestuar nga policia. Burimet zyrtare të Policisë së Durrësit bëjnë të ditur se rreth orës 16.30 të ditës së premte u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Lutfi Shehu, lindur dhe banues në Tiranë. Prangosja e 42 vjeçarit u bë për arsye se dyshohet se më datë 15.05.2008, rreth orës 21.30, në aksin rrugor Fushë Krujë – Tiranë, në afërsi të fshatit Arameras. Në kohën kur drejtonte automjetin tip Volzvagen, me targa TR 9456 E, ka aksidentuar me pasojë vdekjen këmbësorin Ymer Stafuka, 78 vjeç, banues në fshatin Larushk të rrethit të Krujës.

Abuzimi me pensionet, falsifikohen 60 dosje

ELBASAN - Rreth 60 dosje të pensionistëve kanë rezultuar me abuzime, gjatë kontrollit të ushtruar së fundi nga inspektorët e Drejtorisë Rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Elbasan. Drejtori i këtij institucioni, Pavlo Jorgaqi, tha dje se "një numër i madh i këtyre dosjeve i përkasin minatorëve. Në të shumtën e rasteve përfituesit kanë abuzuar me certifikatat, të cilat rezultojnë të falsifikuara duke rritur artificialisht moshën për të përfituar pension". Sipas Jorgaqit, të gjithë ata persona, të cilët kanë përfituar padrejtësisht pensionin e pleqërisë, sipas ligjit, do të detyrohen t'i kthejnë të gjitha shumat e përvetësuara. Në rrethin e Elbasanit janë më shumë se 50 mijë persona që përfitojnë pension, ndërkohë që deri tani janë verifikuar më shumë se gjysma e dosjeve të tyre.

Plagoset aksidentalisht me armë gjahu 10-vjeçari

FIER – Loja me armën ka qenë me pasoja të rënda për një 10-vjeçar nga fshati Ndërmënas i komunës me të njëjtin emër, pasi ai është plagosur rëndë, duke përfunduar në spital. Burimet zyrtare të policisë thanë se Gazment Berisha është plagosur rreth orës 09.30 të ditës së shtunë me armë zjarri, tip “çifte”. Ai është dërguar urgjentisht në spitalin e Fierit për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe ende nuk ka një version zyrtar në se rasti i 10-vjeçarit është vetëplagosje apo plagosje me apo pa dashje. Sipas burimeve policore, një nga hipotezat më të mundshme është ajo e plagosjes nga pakujdesia, gjithsesi, dëshmitë, provat materiale dhe hetimet e plota do të hedhin dritë mbi ngjarjen e plagosjes së 10-vjeçarit.

Arrestohet, vodhi paratë në shtëpinë e kushëririt

PËRMET – Një 22 vjeçar është arrestuar nga forcat e rendit të Përmetit, pasi dyshohet se i ka vjedhur një sasi parash kushëririt të tij në banesë. Burimet zyrtare të policisë së Gjirokastrës bëjnë të ditur se rreth orës 23.00 të së premtes është bërë ndalimi i shtetasit Luiz Dhoga, lindur dhe banues në lagjen Teqe të qytetit Përmet, i dënuar më parë për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”. Sipas tyre, 22-vjeçari u ndalua pas një javë më parë, ai ka vjedhur me thyerje banesën e shtetasit Viktor Dhoga( i afërmi i tij) në lagjen Teqe. Burimet e policisë vendore shprehen se Luizi ka vjedhur një shumë rreth 50.000 mijë lekë. Sipas zëdhënësit të policisë së Qarkut, Gentian Mullai, “materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale të “vjedhjes”.

19 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›